Paris, zbutet “lufta urbane”

schedule22:40 - 24 Nëntor, 2018

schedule 22:40 - 24 Nëntor, 2018

Pas një të shtune të tensionuar dhe thuajse 8 orë “luftë urbane”, shëtitorja Champs Elysees dhe rrugët përreth saj në Paris janë zbrazur nga protestuesit. Gradualisht në kryeqytetin francez po kthehet qetësia. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e prefekturës së Parisit. Ndërkohë, bilanci i manifestimeve rezulton rreth 20 të plagosur nga protestuesit, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë, si dhe 4 oficerë policie. Ndërkohë, janë arrestuar 34 persona në lidhje me trazirat në Champs Elysees.

Situata në Paris u përkeqësua rreth orës 17:00, kur një turme manifestuesish të lëvizjes “Jelekët e Verdhë” arritën të depërtonin në rrugën që të çon drejt pallatit Elize. Ndërkohë, në aksin kryesor të Parisit rreth 8 mijë protestues i vunë zjarrin konteinerëve të mbeturinave dhe disa automjeteve. Policia u detyrua të përdorë gaz lotësjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën, që u përpoq të përçante kordonin e agjentëve.

Qytetarët francezë të përfaqësuar nga lëvizja “Jelekët e Verdhë” protestojnë prej një jave kundër nismës së presidentit Emanuel Makron për rritjen e çmimit të karburanteve. Në  reagimin e tij presidenti Makron ka falenderuar forcat e rendit për kurajën dhe profesionalizmin, ndërsa i ka cilësuar “të turpshme” veprimet e dhunshme të qytetarëve.

“Turp për të gjithë ata që përdorën dhunën kundër qytetarëve të tjerë dhe gazetarëve. Turp për ata që u përpoqën të trembnin politikanët. Në republikën tonë nuk ka vend për akte të tilla”, ka thënë Makron. Makron i është referuar ngjarjes së ndodhur natën e shkuar, kur rreth 40 aktivistë të “Jelekëve të Verdhë”, të maskuar bastisën shtëpinë e një deputeteje, anëtare e partisë në pushtet “La Republique en Marche”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!