Ndoshta nuk është mirë ta përsërisim shpesh.
Gjithsesi, ky Paris SG duket diçka krejt tjetër nga ajo që jemi mësuar në të kaluarën.
Fitorja 3-1 ndaj Aston Vilës, një tjetër sukses pas eliminimit të Liverpulit nga Liga e Kampionëve, konfirmoi se përpara nesh është një skuadër futbolli, jo një projekt marketingu i magjistarëve të ekonomisë dhe të bursës.
Trajneri Luis Enrike vërtet ia paska dalë të ndryshojë ADN-në e një klubi që, jo vetëm nuk kishte historinë e thellë të një Reimsi apo Sent Etieni, por edhe që suksesin dukej sikur po e kërkonte në laborator.
Ishte kënaqësi të ndiqje 90 minuta të një futbolli total, thjesht sulmues, që u kurorëzua me golat e mrekullueshëm nga Due në 39’, Kviça Kvarackelia në 49’ dhe Nunjo Mendesh në minutën e dytë shtysë.
Aston Vila ndërtoi një bunker, dhe pati nisje skenari të shkëlqyer kur kaloi në epërsi falë Morgan Roxhersit, por ishte tepër e varfër përballë kryeveprës pariziene.
Gjysmëfinalja e Championsit nuk është siguruar, por paraqitja ishte qiellore dhe PSG mund të fitojë edhe në Birmingam.
Sink Luis Enrike
“Ishte një ndeshje siç e prisnim, përballë një rivali që u mbrojt prapa dhe që pati mundësi të mëdha për kundërsulm. Synuan të na godisnin me goditje standarde dhe aksione të tilla. Ndeshja pati pak nga të gjitha. Ne e kontrolluam lojën, dhe ky ishte objektivi ynë I parë. Nuk ishte e lehtë të krijonim raste për gol. Kundërshtari u mbrojt në bllok, por mendoj se patëm vazhdimësi. Aston Vila na shënoi me rastin e parë që pati dhe kjo na goditi pak, por ekipi e tregoi sërish se është I përgatitur për të përballuar çdo situatë dhe çdo rival”.
“Goditje gjeniale, – lumturohet prestigjiozja “L’Ekip”, – Përtej rezultatit, PSG përmbysi Aston Vilën me tre gola të mrekullueshëm! Kemi avantazh për ndeshjen e kthimit!”
“Përmbysje, – thërret “Lë Figaro”, – PSG jep spektakël ndaj Aston Vilës dhe merr një avantazh të madh për ndeshjen e kthimit!”
Epërsia e kampionëve të Francës ishte e jashtëzakonshme, me pesëfishin e gjuajtjeve në portë, me 76 për qind mbajtje topi dhe kornet 9-1!
Më shumë se kaq nuk mund të bëhet./abcnews.al