Paris Sen Zhermeni arriti një sukses aspak të lehtë në ligën e parë franceze, duke ia dalë me përmbysje. U desh aktivizimi I sulmuesit Mbape në pjesën e dytë që kryeqytetasit të merrnin fitoren.
Pavarësisht rezultatit ishte një ndeshje e vështirë. Paris SG mund të jetë një superfuqi e papërballueshme në futbollin francez, por edhe kampionia në fuqi nuk mund t’ia dalë lehtë.
Me Mbapenë në stol, Kavanin jashtë ekipit për shkak dëmtimi, dhe Nejmarin në fushë, u desh të përballonte një pjesë të parë të ashpër në fushën e Gingompit, përpara sesa të triumfonte 3-1.
Vendasit, jo vetëm kaluan të parët në epërsi me golin e Nolan Rusë që në minutën e 20-të, por patën edhe mundësi të tjera.
Herë gabuan vetë, herë i ndaloi Xhanluixhi Bufon, por rezultati në 45 minutat e para nuk ndryshoi dhe trajneri parizien, Tomas Tuhel, hodhi në fushë Mbapenë pas pushimit.
Kampioni i botës me Francën bëri ndryshimin, edhe pse barazimi erdhi nga Nejmar. Braziliani fitoi penallti dhe e ktheu në gol, duke këmbëngulur që të ishte ai lojtari që duhej të gjuante 11-metërshat.
Më pas, diferenca në klas e kryeqytetasve u bë e papërballueshme, dhe kombinimi mes Angel Di Marisë e Mbapesë solli golin e avantazhit. Më pas ishte sërish Mbape që realizoi për së dyti, duke u bërë ai protagonisti kryesor i sfidës, jo Nejmari.
Shpresa e tifozëve është që kjo konkurrencë e yjeve të jetë pozitive, dhe të ndihmojë për të luajtur më mirë e për të shënuar më shumë gola, sidomos në Champions, por gjithsesi pritet sesi do të harmonizohen dy ego të mëdha në një ekip. /abcnews.al