Paris Sen Zhermeni gjeti një fajtor për humbjen e pësuar në Madrid në Ligën e Kampionëve. Francezët akuzuan gjyqtarin italian, Xhanluka Roki
Fillimi ishte si jo më mirë.
Edhe pse u vu nën presion, Paris SG mori epërsinë në stadiumin mitik të Madridit.
Trajneri Unai Emeri, fitues i ligave të Europës me Seviljen, me siguri mendoi se kishte ardhur koha për të arritur edhe lavdinë më të madhe, triumfin në Champions.
Për fat të keq, avantazhi erdhi shpejt, ndërsa ndeshja I doli nga duart ekipit të tij, pikërisht në minutat e fundit.
Disfata 1-3 padyshim që do të jetë shumë e vështitrë për t’u përmbysur nga ekipi I një klubi që ka shpenzuar qindra milionë euro për yje, por që këto para nuk e kanë ndihmuar për të blerë historinë.
Sidoqoftë, trajneri spanjoll me përvojë nuk u dorëzua, ndërsa gjeti edhe një shkaktar për humbjen.
Emeri: “Jam i lumtur me paraqitjen e lojtarëve të mirë. Mendoj se ne e kontrolluam ndeshjen, duke imponuar idetë tona. Reali I Madridit shfrytëzoi më mirë rastet që pati, ndërsa rezultati do të kishte qenë tjetër nëse edhe ne do t’i kishim shfrytëzuar shanset tona. Patëm mundësi të kalonim në avantazh 2-1. Për fat të keq, arbitri nuk ishte në anën tonë kerë dhe ne humbëm 1-3, një rezultat jo I mirë, pas një loje të mirë. Do të bëjmë çmos përpara tifozëve tanë dhe kam besim te kualifikimi”.
Emeri me siguri e kishte fjalën për aksionin e golit të dytë të Realit, ku pati një faull nga Ronaldo, por sidomos për pretendimin për penallti pas një prekjeje të topit me dorë nga Ramos në zonën e tij.
Gjyqtari italian, Xhanluka Roki nuk e gjykoi për 11-metërsh.
Talenti i madh në fazën ofensive, padyshim e ka bërë Paris SG një rival të frikshëm që mund të shënojë në çdo moment.
Gjithsesi, eksperienca jo e duhur, dobësia në mesfushë dhe mungesat në mbrojtje ishin minuse më të mëdhenj sesa pluset e klasit të sulmit.
Presidenti Al Helaifi u përpoq të ishte i qetë pas ndeshjes, ndërsa edhe ai akuzoi gjyqtarin.
Al Helaifi: “Mendoj se ne luajtëm mirë, sidomos në pjesën e dytë, por përfundimi ishte 3-1 për kundërshtarin pas ndeshjes së parë. Për më tepër, gabimet e gjyqtarit na kushtuan humbjen, ndërsa ai ndihmoi Realin. Unë kam besim të plotë tek trajneri dhe tek lojtarët, dhe tani ne kemi për detyrë të përmbysim rezultatin në fushën tonë. Do të jetë ndryshe në prani të tifozëve tanë”.
Kështu përfundoi aventura pariziene në Madrid.
Fytyrat ishin të zymta, duke nisur që nga Al Helaifi, Nejmar apo trajneri Emeri.
Ndryshime radikale nuk priten deri pas ndeshjes së dytë, apo ndoshta deri në përfundim të sezonit, por zhgënjimi është I madh që shpenzimi i 400 milionë eurove për dy lojtarë, Nejmar e Mbape, nuk ndryshoi asgjë./abcnews.al