Nga Robert Litan “Bloomberg”
Miliarda njerëz në mbarë botën po shohin të pafuqishëm, teksa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdon të vrasë çdo ditë gjithnjë e më shumë njerëz të pafajshëm, ndërsa po e shkatërron infrastrukturën në të gjithë vendin dhe po detyron miliona refugjatë të largohen në vendet fqinje evropiane.
SHBA dhe aleatët e saj duhet të hedhin menjëherë hapat e parë, në mënyrë që Rusia të mbahet të paktën përgjegjëse për koston e ndihmës humanitare, reparacionet dhe rindërtimin e Ukrainës. Për këtë mund të përdorin rezervat valutore ruse që mbahen në bankat qendrore jashtë vendi, dhe që janë ngrirë nga qeveritë e këtyre vendeve në kuadër të sanksioneve të vendosura.
Sipas të dhënave më të fundit të ofruara nga banka qendrore e Rusisë, që nga 30 qershori 2021, rezervat valutore të Rusisë arritën në 585 miliardë dollarë. Edhe pse jo e gjithë kjo do të ishte e disponueshme për të paguar dëmet e shkaktuara nga lufta.
Kjo sepse Rusia e mban një pjesë të mirë të totalit në ar në shtëpi (22 për qind), një sasi të konsiderueshme në monedhën kineze renminbi-in Kinë (14 për qind), dhe një pjesë tjetër në institucionet ndërkombëtare (5 për qind). Pra shuma zbret në rreth 350 miliardë dollarë “rezerva të disponueshme”, që ndodhen kryesisht në Francë (12 për qind), Gjermani (10 për qind), Japoni (10 për qind), dhe SHBA (7 për qind), dhe pjesa tjetër është e shpërndarë midis shumë vendeve të tjera.
Në të kaluarën, dëmshpërblimet e luftës janë paguar pas përfundimit të armiqësive nga vendi agresor. Kështu ndodhi me Gjermaninë në të dyja luftërat e botërore. Por fakti që shumë vende zotërojnë asetet ruse në valutë të huaj, do të thotë se dëmshpërblimet për pushtimin e Ukrainës janë financuar paraprakisht nga vetë Rusia.
Kjo është padyshim një rrethanë unike. Por ka edhe një bazë në të drejtën ndërkombëtare, që i jep mundësi vendeve që këto rezerva t’i përdorin për të paguar dëmet që shkaktuar
Rusia në shkallë masive, atë që sipas ligjit të SHBA-së konsiderohet si një “krim i qëllimshëm”: dhunë e paprovokuar, e cila kërkon minimalisht që agresori të paguajë për vuajtjet njerëzore, vdekjet dhe shkatërrimet materiale.
Në dhjetorin e vitit 2005 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, miratoi një rezolutë që afirmonte një variacion të doktrinës së dëmshpërblimit të qëllimshëm, duke njohur të drejtën për dëmshpërblim të viktimave të abuzimit me të drejtat e njeriut sipas ligjit ndërkombëtar.
Megjithatë, rezoluta e OKB-së nuk është e vetë-zbatueshme. Ajo i ngarkon shtetet anëtare që të hartojnë “programe kombëtare për dëmshpërblim dhe ndihma të llojeve të tjera për viktimat në rast se palët përgjegjëse për dëmin e pësuar nuk janë në gjendje apo nuk dëshirojnë të përmbushin detyrimet e tyre”.
Është e sigurt që Rusia nuk do të jetë e gatshme që t’i përmbushë këto detyrime. Prandaj vendet e tjera që mbajnë tani rezerva ruse në valutë, mund të zbatojnë më së miri parimin e reparacioneve, duke rënë që tani dakord për një plan të përbashkët.
Në teori, dëmshpërblimet dhe ndihmat e tjera për Ukrainën, do të kishin një legjitimitet më të madh ndërkombëtar nëse do të administroheshin nga OKB-ja, edhe pse për këtë nuk ka asnjë precedent. Për më tepër, edhe nëse Asambleja e Përgjithshme e OKB-së – e cila tashmë e ka dënuar Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë – do të hartonte një program të tillë, Rusia dhe ndoshta Kina do të vendosnin veton ndaj tij në Këshillin e Sigurimit.
E megjithatë, një koalicion shtetesh të gatshme, mund të krijojë grupin e tyre të punës special për reparacionet, për të korrigjuar shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut të kryera nga Rusia në Ukrainë. Grupi i punës duhet të jetë një organ i ri relativisht i vogël, i udhëhequr nga emra të njohur ndërkombëtarisht.
Ai duhet të përbëhet nga ekspertë të financës, së bashku me ekspertë të tjerë nga sektorët jofitimprurës dhe privatë, mundësisht me ekspertizë qeveritare. Në këtë organ duhet të përfshihen edhe përfaqësuesit e qeverisë ukrainase. Llojet e dëmeve të përshkruara më sipër kërkojnë një proces me 3 faza.
Së pari, grupi i punës duhet të merret me procesin e rimbursimit të kostove për ndihmën humanitare, që aktualisht po përballohen nga vendet evropiane që po pranojnë refugjatët ukrainas. Nga një llogaritje e përafërt, vetëm për vitin e parë mund të paguhen 5000 dollarë për person, dhe për 5 milionë refugjatë kjo shumë do të arrinte në 25 miliardë dollarë.
Po ashtu, duhet të bëhen plane për një periudhë më të gjatë qëndrimi, në rast se refugjatët nuk mund të kthehen në shtëpi pas një viti. Në këto kushte, çmimi për ndihmën humanitare dhe zhvendosjen mund të rritet në mbi 50 miliardë dollarë.
Së dyti, një pjesë e konsiderueshme e rezervave ruse, duhet të përdoret për të kompensuar ukrainasit për humbjen e pronës. Nëse dëmshpërblimet për 11 milionë ambiente banimi (popullsia prej 44 milionë e pjesëtuar për 4), do të ishin mesatarisht 20.000 dollarë për një familje, totali do të arrinte në 220 miliardë dollarë.
Kësaj shume i duhen shtuar potencialisht dhjetëra miliarda, për të kompensuar anëtarët e mbijetuar të familjes për vdekjet e gabuara të të dashurve të tyre, si ushtarakë po ashtu edhe civilë, të shkaktuar nga pushtimi rus.
Së treti, një pjesë e rezervave ruse duhet të financojë rindërtimin. Ky proces do të zbatohej vetëm nëse Ukraina do të dominojë në këtë luftë (të themi, duke qenë në gjendje të mbajë disa pjesë perëndimore të vendit), ose nëse Rusia ia kthen sovranitetin të gjithë vendit.
Pasi të bihet dakord mbi një plan, vendet që mbajnë rezervat ruse, mund ta financojnë atë në një nga dy mënyrat:mund të bien dakord që bankat e tyre qendrore t’i transferojnë paratë tek një njësi e vetme, siç është Banka Ndërkombëtare e Reparacioneve; ose çdo komb mund të bëjë një shpërndarje proporcionale sipas një plani të dakordësuar më parë.
Ka të ngjarë që 350 miliardë dollarët që janë aktualisht në dispozicion do të mbarojnë shpejt duke financuar të tria shtyllat e këtij plani. Nëse nuk ka para të mjaftueshme për të mbuluar gjithçka, atëherë dëmshpërblimet do të duhet të kenë disa përparësi dhe të kufizohen.
Bota mund të mos jetë në gjendje të parandalojë katastrofën humanitare që po ndodh tani në Ukrainë, për shkak të frikës së provokimit të Luftës së Tretë Botërore. Por një koalicion i vendeve me vullnet të mirë i ka mjetet për të lehtësuar disa nga vuajtjet, dhe për ta detyruar Rusinë të financojë një pjese të konsiderueshme të dëmshpërblimeve të mëdha ndaj Ukrainës. / abcnews.al