“Paratë lumë” në merkato, FIFA publikon raportin për tregun e transferimeve të verës

schedule15:24 - 3 Shtator, 2024

schedule 15:24 - 3 Shtator, 2024

Sesioni i verës në merkaton e futbollit botëror është mbyllur zyrtarisht në pjesën më të madhe të botës dhe për këtë arsye tani është momenti i duhur për të bërë bilance.

Burimi më i sigurtë është FIFA, që për herë të parë ka publikuar një raport të detajuar mbi numrin e transferimeve dhe shpenzimeve të gjithë klubeve, ku me një llogari të thjeshtë, përfundimi del se edhe këtë herë paratë janë “derdhur lum”, teksa nga 1 qershori e deri më 2 shtator të këtij viti janë finalizuar rreth 11 mijë transferime.

Ky është një rekord i ri, që kalon atë të vendosur në të njëjtën periudhë të vitit 2023, ku u kryen 10490 transerimeve.

E përkthyer në para, sipas raportit të FIFA klubet e futbollit shpenzuan në merkaton e verës 6.4 miliardë dollarë, duke regjistruar kështu shifrën e dytë më të lartë në histori, pas “çmendurisë” arabe të verës së shkuar, ku në Lindjen e Mesme zbarkuan “yje” si Cristiano Ronalo, Neymar e Karim Benzema.

Sa i përket “mbretërve” të merkatos, në krye të listës qëndrojnë sërish “gjigantët” e Premier League, të cilët kanë shpenzuar plot 1.6 miliardë dollarë ose e thënë ndryshe çerekun e shumës totale, prej 6.4 miliardësh.

Kjo tregon qartë shëndetin financiar të kampionatit anglez, që jo më kot është edhe më i forti në botë, teksa një tjetër konfirmim për këtë është fakti që në vendin e dytë renditen klubet e kampionatit brazilian, ndërsa më larg në renditje janë Ligat e tjera të mëdha të futbollit evropian. /i.m /abcnews.al