Mbi 1 milion euro të padeklaruara janë sekuestruar në portin e Durrësit që nga fillimi i vitit. Gazetari Leonidha Musaj raporton se deri më tani janë kryer 10 operacione dhe si rezultat janë vënë në pranga 10 persona të cilët kanë tentuar t’i fusin ilegalisht këto shuma të mëdha parash në territorin shqiptar.
Vetëm gjatë muajit Gusht, policia ka goditur tre raste të kësaj veprimtarie. Gazetari raporton se Britania e Madhe dhe Italia mbajnë ‘rekordin’ si dy vendet nga ku vijnë më shumë këto para ilegale.
“Vetëm përgjatë muajit Gusht janë goditur tre raste, të cilat janë tentuar nga persona të ndryshëm për të futur para në territorin shqiptar, ku policia e kufirit në bashkëpunim me të shtetit, ka arritur të zbulojnë këto raste. Në dy raste, paratë kanë qenë të fshehura në autobus ndërsa në tjetrin ka qenë me anë të një kamioni. Të tre personat janë vënë në pranga por gjykata ka dhënë masë të butë sigurie. Dy prej tyre i ka lënë në ‘detyrim paraqitje’ dhe tjetrin në ‘arrest shtëpie'”, u shpreh gazetari./abcnews.al