Nga Erblina Mile
Tkurrja ekonomike në Shqipëri do të kapë nivelin e 8,4% gjatë këtij viti. Banka Botërore ka botuar raportin e vlerësimit ekonomik për vjeshtën duke ulur pritshmërinë për rritje ekonomike me 3.4% në krahasim me vlerësimin e mëparshëm.
Banka Botërore konstaton se kjo situatë do të rrisë varfërinë dhe përqindja e popullsisë që jeton me më pak se sa 5.5 dollarë në ditë pritet të rritet me rreth 5 %.
Kjo pavarësisht pagave të luftës të shpërndara nga qeveria pasi në raport theksohet se në Shqipëri ka informalitet të lartë dhe shumica prej qytetarëve që jetojnë në të zezë për mbijetesë nuk kanë përfituar duke mos siguruar të ardhura për familjet.Pandemia COVID-19 thuhet në raport detyroi qeverinë të bllokonte sektorët kryesorë ekonomikë.
Mbylljet e biznesit, të shkallëzuara mbrapa operacioneve dhe ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit dëmtuan prodhimin. Sezoni i turizmit i cili konsiderohet një faktor kryesor i rritjes ekonomike nuk solli të ardhura gjatë verës pasi numri i turistëve ka qenë shumë i kufizuar për shkak të mbylljes së kufijve midis vendeve.
Pozicioni fiskal i Shqipërisë pritet të përkeqësohet në vitin 2020, ndërsa borxhi publik i Shqipërisë do të arrijë në nivelin e 81,4 %. Për vitin e ardhshëm Banka Botërore parashikon që rritja ekonomike do të arrijë në 5% ndërsa në 2022 pritet të kapë nivelin e 3.4%.
Edhe institucione të tjera ndërkombëtare kanë rishikuar në ulje pritshmërinë për rritjen ekonomike, ku sipas FMN rritja ekonomike në Shqipëri gjatë këtij viti parashikohet të jetë -7,5%, ndërsa sipas BERZH tkurrja do të shkojë deri në -9% ndërkohë që qeveria i qëndron nivelit -5%.
Parashikimet për rritje ekonomike
Banka Botërore -8,4%
BERZH -9%
FMN -7,5%
Qeveria -5%
/abcnews.al/