Paralajmëron Wadephul: Zgjedhjet e lira dhe të ndershme parakusht për rrugën drejt BE

schedule19:00 - 8 Qershor, 2020

schedule 19:00 - 8 Qershor, 2020

Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, Johann Wadephul, në një reagim në rrjetin social “Twitter” ka përshëndetur marrëveshjen mes mazhorancës dhe opozitës së bashkuar për reformën zgjedhore, ndërsa inkurajon negociata të mëtejshme.

Ai shprehet se 15 kushtet e lëna nga Bundestagu gjerman duhet të plotësohen përpara mbajtjes së konferencës për negociatat.

“Marrëveshja midis qeverisë dhe opozitës për një pjesë të rëndësishme të reformës së ligjit zgjedhor duhet të inkurajojë negociata të mëtejshme të vështira për 15 kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë përpara se të fillojnë negociatat e pranimit.

I bëj thirrje të dy palëve që të vazhdojnë të punojnë në këtë frymë konstruktive. Jam i lumtur që vazhdoj ta mbështes këtë përpjekje. Shumë dallime midis dy palëve duhet të tejkalohen në mënyrë që të arrihet një ligj zgjedhor që përmbush plotësisht standardet e BE dhe OSBE”, shkruan ai.

Johann Wadephul thotë se vetëm në këtë mënyrë, më në fund do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

“Ato janë një parakusht për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së!”