Quique Setien do të debutojë nesër në stolin e Barcelonës. Katalanasit presin në shtëpi Granadën në “Camp Nou” dhe Setien dëshiron ta nisë me fitore. Trajneri ka folur qartë në konferencën për shtyp. Loja e bukur dhe ekuilibri i ekipit janë dy objektiva të tij, teksa nuk do të tolerojë asnjë lojtar që del jashtë pozicionit dhe detyrave taktike.
“Kjo javë ka shkuar mbarë, më mirë seç e mendoja. Ka paqartësi se si do të përgjigjet ekipi kur shkon te një skuadër e re. Kemi punuar mirë, jam shumë i lumtur. Objektivi ynë është gjithmonë fitorja, por duam të luajmë bukur për t’u kthyer në shtëpi të lumtur. Do të tentoj gjithmonë që Barcelona të luajë bukur.
Rregulli është shumë i rëndësishëm për mua. Jo vetëm Vidal, por edhe lojtarë të tjerë kanë tendencën për të humbur pozicionin e tyre në fushë. Kjo gjë sjell rrëmujë dhe ne kemi nevojë për ekuilibër. Vidal ka mundësi për të luajtur njësoj si gjithë lojtarët e tjerë. Pres maksimumin nga të gjithë“, përfundon trajneri i Barcelonës. /abcnews.al