Paralajmërimi i OKB: Sëmundjet si Covid-19 gjithnjë e më shpeshta, fajin e kanë njerëzit

schedule15:33 - 8 Korrik, 2020

schedule 15:33 - 8 Korrik, 2020

Viruset që kalojnë nga kafshët tek njerëzit po bëhen gjithnjë e më të zakonshëm, paralajmëron Organizata e Kombeve të Bashkuara. Dega mjedisore e OKB-së zbuloi se shfaqja e SARS-CoV-2 – koronavirus që shkakton sëmundjen Covid-19, nuk erdhi si një befasi.

Në raport njoftohet se pandemia “ishte tërësisht e parashikueshme” pasi sjellja njerëzore, duke përfshirë këtu edhe rritjen masive të kafshëve nëpër ferma për mish, ka shkaktuar një rritje të sëmundjeve zoonotike.

Departamenti i Mjedisit në OKB pretendon se koronavirusi me shumë mundësi e ka origjinën nga lakuriqët e natës.

Kërkuesit po ashtu u referohen pangolinëve si një urë e mundshme mes lakuriqëve të natës dhe njerëzve. Virusi më tej mund të ketë evoluuar për t’u bërë më infektues përpara se kalonte nga pangolinët tek njerëzit.

Sëmundjet zoonotike janë sëmundje të cilat mund të transmetohen nga një kafshë vertebrore, si gjitarët, zogjtë, zvarranikët apo peshqit, tek njerëzit.

Mes sëmundjeve Zoonotike përfshihet Ebola, një sëmundje vdekjeprurëse që e ka origjinën nga majmunët si dhe MERS, një tjetër lloj koronavirusi i lidhur me gamilet.

Çdo vit, dy milion persona, shumica prej tyre në vendet e varfra, humbin jetën si pasojë e sëmundjeve zoonotike, sipas raportit të OKB.

Pandemia e Covid-19 u ka marrë jetën më shumë se 543,600 personave në të gjithë globin në 8 muajt e fundit qëkur u identifikua formalisht. Që prej atëherë me miliona persona janë infektuar. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!