Paralajmërimi i ‘beftë’ nga SHBA: Të jemi gati për luftë me Kinën

schedule08:06 - 29 Janar, 2023

schedule 08:06 - 29 Janar, 2023

Gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-së, Mike Minihan deklaroi se ekziston mundësia e luftës me Kinën pas dy vitesh dhe kërkoi nga ushtarët e tij që të përgatiten në përputhje me rrethanat.

Gjenerali Minihan, komandanti i Forcave Ajrore të SHBA-së, u dërgoi një mesazh me shkrim trupave të tij: “Shpresoj se e kam gabim, por ndjej sikur do të luftojmë kundër Kinës në vitin 2025”, raportoi televizioni NBC.

Duke vënë në dukje se në vitin 2024 zgjedhjet presidenciale do të mbahen si në SHBA ashtu edhe në Tajvan, i cili është në konflikt sovraniteti me Kinën, Minihan paralajmëroi se në këtë periudhë kur vëmendja e Uashingtonit do të kthehet në politikën e brendshme, Kina mund të shfrytëzojë mundësinë dhe të niset drejt Tajvanit.

Minihan u kërkoi trupave që të përgatiten për një konflikt të tillë, duke i udhëzuar ata të raportonin për përpjekjet e tyre në këtë drejtim deri më 28 shkurt.

Për këtë temë foli edhe zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes (Pentagon), gjeneral brigade, Patrick Ryder. “Strategjia Kombëtare e Mbrojtjes e bën të qartë se Kina është një kërcënim në rritje. Si Departament i Mbrojtjes, fokusi ynë është të ruajmë paqen në rajonin Indo-Paqësor duke punuar me aleatët dhe partnerët tanë”, tha Ryder.

Philip Davidson, ish-komandanti i forcave amerikane të Indo-Paqësorit, tha në një deklaratë për Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Senatit në mars 2021 se Kina mund të tentojë një pushtim të Tajvanit deri në vitin 2027.

Në fillim të këtij muaji, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin foli gjithashtu për mundësinë e një pushtimi kinez të Tajvanit.

“Kohët e fundit ne kemi parë sjellje provokuese nga forcat kineze dhe përpjekjet e tyre për të krijuar një normalitet të ri, por kam dyshime serioze nëse kjo përbën një kërcënim të menjëhershëm pushtimi”, tha Austin.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!