Paralajmërimet e SHBA për luftë, Kina bën thirrje për qetësi

schedule21:39 - 15 Shkurt, 2018

schedule 21:39 - 15 Shkurt, 2018

Kina i është përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga shërbimet inteligjente amerikane për një luftë të mundshme mes superfuqive për shtrirjen e influencës. Ambasadori kinez në Shtetet e Bashkuara ka deklaruar se me dialog mund të tejkalohen të gjitha diferencat.

Pekini ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve amerikanë, se Kina po sfidon në mënyrë agresive Shtetet e Bashkuara për shtrirjen e influencës. Ambasadori kinez në Uashington, Cui Tiankai ka deklaruar se mbrojtja e tezës së një konfrontimi të mundshëm me Kinën do të ishte e rrezikshme.

“Është paranojë dhe jo frikë të thuash se Kina në rrugën e saj të zhvillimit do të përplaset me Shtetet e Bashkuara dhe është e rrezikshme mbrojtja e çdo strategjie përballjeje”, kanë thënë Cui në një pritje në ambasadë me rastin e vitit të ri kinez. Për diplomatin, marrëdhëniet Kinë – SHBA duhet të karakterizohen nga bashkëpunimi, konkurrenca e ndershme dhe në asnjë rrethanë nga konfrontimi.

“Dihet se ne do të kemi gjithmonë qëndrime të ndryshme për disa gjëra, por interesat e përbashkëta janë shumë më të rëndësishme. Nevoja për bashkëpunim duhet të nxjerrë në minorancë çdo diferencë. Ne do të vazhdojmë të kemi probleme me njëri-tjetrin, por dialogu do të na çojë tek zgjidhja”, ka nënvizuar ambasadori.

Duke qenë se viti i ri kinez përkon me vitin e qenit, Cui tha se, qentë shihen si miq besnikë e të sinqertë si në kulturën aziatike ashtu dhe në atë perëndimore, ndaj shprehu besimin se virtyte të tilla janë jetike për marrëdhëniet dypalëshe. E pranishme në ceremoni, senatorja amerikane Shelley Capito tha për agjencinë e lajmeve “Xinhua” se pret që lidhjet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të forcohen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!