Parakalim apo …? Përse u qëllua ndaj dy policëve në Vlorë?

schedule21:20 - 2 Shtator, 2022

schedule 21:20 - 2 Shtator, 2022

Një person i paidentifikuar ende ka qëlluar me armë zjarri pistoletë ndaj dy efektivëve të policisë Nako Mehmetaj dhe Anxhelo Breshani.

Dy oficerët e policisë të cilët nuk ishin në krye të detyrës kanë qenë duke u kthyer nga palestra ndërsa ecnin me makinën e tyre tip “Audi” janë qëlluar nga një person që ju është afruar me një makinë “Volkswagen”.

Sipas atyre që kanë deklaruar policët në komisariat thuhet se shkak është bërë konflikti për një parakalim të gabuar.

Por kjo ngjarje ka nevojë për një hetim më të thellë, duke patur parasysh se disa nga punonjësit e policisë në Shqipëri jo pak herë janë bërë palë me grupet kriminale.

Ajo që tërheq vëmendjen në këtë ngjarje është se dy oficerët e policisë kanë mundur të identifikojnë tipin e makinës me të cilët lëvizte autori dhe jo targën.

Ndryshe nga qytetarët e thjeshtë të cilët në momente të tilla edhe mund t’i kapë paniku, punonjësit e policisë janë trajnuar që në raste të tilla të identifikojnë sa më shumë detaje.

Ndërkohë që një tjetër pistë në të cilën po heton policia lidhet me detyrën e efektivëve. Pavarësisht se këta te fundit kane deklaruar se nuk i njihnin personat që kanë qëlluar.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 19:40, në lagjen “Partizani”, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se nga një automjet tip “Volkswagen”, një shtetas ende i paidentifikuar, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi” me të cilin udhëtonin shtetasit A. B., me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe N. M., me detyrë punonjës i Policisë Kufitare Sarandë, të cilët nuk kanë pësuar dëmtime.

Në momentin e ngjarjes, punonjësit e Policë kanë qenë jashtë shërbimit, duke udhëtuar me automjet privat.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

/Abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!