Një radhë e gjatë personazhesh të njohura, miliarderë, drejtues, anëtarë të familjeve mbretërore dhe vip, kanë shkuar në Abu Dabi ditët e fundit për t’u vaksinuar kundër Covid.
Lajmi është publikuar nga Financial Times. Vetëm pak ditë më parë u publikua lajmi se motrat e mbretit spanjoll Felipe VI, Elena dhe Kristina, shkuan të vaksinoheshin kundër Covid në Emiratet e Bashkuara Arabe, në muajin gusht, gjatë një vizite që i bënë babait të tyre Huan Karlos, i cili jeton atje pas përfshirjes në një skandal korrupsioni.
Anëtarët e familjes mbretërore në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe zyrtarë të qeverisë i kanë përdorur dozat e bollshme të Pfizer që kishin në dispozicion, dhe tashmë duket se duan t’ia ofrojnë pjesën tjetër atyre pak të përzgjedhurve që nuk banojnë atje.
Të pyetur nga Financial Times, një pjesë e tyre shprehen se Emiratet i japin vaksinë kujtdo që i kërkon dhe ata qëlluan në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.
Nga 10 milionë banorë, 6 milion prej tyre janë vaksinuar. Fushata e vaksinimit në Emiratet e Bashkuara Arabe është nga më të shpejtat dhe efikaset në botë. Së bashku me Izraelin dhe Britaninë e Madhe. Dozat që teprojnë, iu dhurohen atyre që qëllojnë të ndodhen atje, atyre që punojnë. Të paktën ky është arsyetimi i autoriteteve vendore i dhënë për Financial Time.
Por polemikat nuk mungojnë. Njësoj si princeshat spanjolle, dhe bankieri kanadez Mark Mashin e ka paguar shtrenjtë dozën e tij. Një muaj më parë u detyrua të japë dorëheqjen pas publikimit të lajmit për vaksinimin e tij në Abu Dhabi, duke shkelur rregullat anti covid të vendit të tij.
Përveç përdorimit të Pfizer -BioNTech, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mbërritur në fazën 3 të eksperimentit të vaksinës kineze Sinopharm, me pretendimin që ta prodhojnë vetë në vend./abcnews.al