Para një muaji i ekzekutuan kushëririn, zhdukja e Ervis Martinajt mister, si ia eliminuan “të besuarit” njëri pas tjetrit

schedule10:50 - 11 Gusht, 2022

schedule 10:50 - 11 Gusht, 2022

Pothuajse një muaj pas masakrës së Fushë-Krujës që la pas 3 të vrarë, familjarët e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj kanë kallëzuar në polici se kanë humbur kontaktet me të.

Burime për ABC nga Drejtoria e Policisë së Shtetit, bëjnë të ditur se ka qenë nëna e Ervis Martinajt ajo e cila ka kryer denoncimin, duke thënë se prej 3 ditësh nuk ka pasur asnjë kontakt fizik dhe as në celularë me djalin e saj i cili është në kërkim ndërkombëtar për shumë ngjarje kriminale të ndodhura në vend. Ajo ka rrëfyer se nuk di se ku djali i saj ndodhet dhe po ashtu informacion për të nuk kanë as të afërmit e tjerë të cilët ruanin kontakte me të shumëkërkuarin.

Më 17 korrik, 4 persona, ende në paidentifikuar në një atentat mafioz të mirë organizuar vranë Brilant Martinaj, krahun e djathtë dhe kushëririn e Ervis Martinajt së bashku me dy shokët e tij Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.

Dyshohet se objektiv i këtij atentati të ketë qenë pikërisht Brilant Martinaj, i cili dyshohet se ka qenë autor i vrasjes së efektivit Xhuliano Prela më 5 dhjetor 2020 dhe ish-policit Xhelal Reçi më 1 nëntor 2021.

Por kush po i eleminon miqtë e Ervis Martinajt?

Saga e gjatë e vrasjeve

Më 13 nëntor 2021 mbeti viktimë e një atentati Eriger Mihasi, i njohur si shok i Ervis Martinajt. Ai ishte  duke udhëtuar në automjetin e tij tip Audi A 8 me targa AB 008 EM, në momentin kur u qëllua me breshëri plumbash. Burime bënë me dije për ABC se atentatorët qëlluan nga një automjet në lëvizje. Automjeti ishte në pronësi të Mihasit. Ai kishte personalizuar edhe targat me inicialet e tij “E M”.

Mihasi kishte qenë disa herë i arrestuar dhe shpallur në kërkim për grabitje dhe ngjarje të tjera kriminale.

Tre vite më parë u shoqërua për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e ndodhur në lokalin Monopol, në ish-Bllok. Ai kishte qenë i arrestuar edhe si person i dyshuar për grabitjen dhe torturimin e prindërve të Elton Çiços në Tepelenë, por gjykata e liroi nga qelia për mungesë provash.

Lexo gjithçka mbi masakrën e Fushë-Krujës 

Në qershor të 2020, Erigers Mihasi u shpall në kërkim nga policia në lidhje me arsenalin e armëve të gjetura në Yrshek në banesën e Gëzim Harokut.

Mihasi ishte mik i ngushtë edhe me Santiago Malkon, ish-policin e vrarë në Porcelan më 27 gusht 2019, me të cilin dyshohet se kanë qenë autor të plagosjes me armë ndaj kushërinjve Rivelino dhe Juxhin Mumajesi në Tiranë në 2018, ku nga sulmi mbeti i plagosur edhe shoku i tyre Ibrahim Durollari.

Vrasja e Santiago Malkos

Santiago Malko u vra në zonën e Porcelanit në gusht të vitit 2019 teksa u qëllua në makinën e tij BMË X5. Santiago Malko ish-punonjës policie kishte qenë më parë i arrestuar. Në lidhje me vrasjen e tij është arrestuar Blendi Teta.

Vrasja e Fabian Gaxhës

Fabian Gaxha u vra në lokalin “Monopol” në ish-Bllok në 4 tetor të vitit 2018 pas një përplasje mes dy grupeve. Gaxha ishte i shoqëruar bashkë me mikun e tij Ervis Martinaj, ku pas një konflikti mes palëve, u vra me armë zjarri nga Mervjol Billo, truproja i Ervin Matës. Të plagosur mbetën edhe Ervis Martinaj si dhe miku i tyre Eljo Hato.

Kush është Ervis Martinaj

Ervis Martinaj, është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin. Ervis Martinaj është përmendur edhe në Gjyqin ndaj Emiliano Shullazit.

Martinaj ka qenë pronar i disa pikave të basteve dhe kazinove dhe është përmendur në 2016 për ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij u lakua edhe për vrasjen e bankierit Artan Santo.  Gjatë kontrollit në magazinën e tij në Fushë-Kuqe u gjetën dy skafandra të ngjashme me ato që përdorën vrasësit e bankierit, por ai nuk u implikua në këtë rast, sepse nuk kishte prova.

Po ashtu Martinaj ishte i përfshirë në vrasjen e ndodhur në Bllok, ndërsa pas kësaj ngjarje ai u arrestua por më pas u la i lirë pasi pagoi një shumë të madhe parash. Emri i Ervis Martinajt, doli në skenë edhe pas dëshmisë së vrasësit me pagesë Nuredin Dumani. Ai rrëfeu se Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro, për eliminim e Endrit Dokles, numrit 2 të Bandës së Durrësit./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!