VIDEO/ “Paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ty!”, Berisha shpërthen në lot para arkëmortit të Bujar Nishanit

schedule13:31 - 2 Qershor, 2022

schedule 13:31 - 2 Qershor, 2022

Ish-kryeministri Berisha e ka cilësuar një shtetar të denjë Presidentin Nishani gjatë fjalimit të fundit gjatë ceremonisë se përcjelljes së tij për në banesën e fundit. Berisha tha se ishin të lumtur që kishin qenë në krah të një personaliteti si Nishani, ndërsa sot ndjehen më të paktë pas largimit të tij.

“Paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ty! Të qoftë i lehtë dheu i tokës mëmë”, tha Berisha në fund për Nishanin, ndërsa nuk i mbajti dot lotët.

Pjesë nga fjalimi i Berishës

Jemi këtu rreth teje të përcjellim me dhimbje të madhe në udhëtimin tënd të përjetshëm të parakohshëm që nis pasi ke ngjitur si rrallëkush shkallët e jetës dhe të detyrës. Megjithëse largohesh nga ne përgjithmonë, për sa kohë ne do jetojmë d mbetesh i gjallë me veprat, finsikërinë, përkushtimin, shërbimet e çmuara ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Me ne mbetet dhe do jetojë gjithmonë Bujar Nishani, njeriu i dashur, atdhetar, shërbëtor i përkushtuar i qytetarëve, demokrat i flakët dhe guximtar, burrështetas fisnik.

Sot këtu para teje ne jemi më të paktë në vete. Odeta ndihet sot më e paktë, më e trishtë se kurrë në jetën e saj për bashkëshortin fisnik që u largua para kohe.

Për Ersin, Fjonën sot është dita më e dhimbshme e jetës së tyre, por ata do jenë krenarë që patën fatin të kenë një baba si ti. Për Baba Faikun sot zija është më e rëndë se toka, por ai përsëri ndihet krenar se rriti një djalë si ti që i zbardhi faqen.

Për të gjithë ne të tjerët që patëm mundësi të njohim e bashkëpunojmë, do mbetesh një burim i pashtershëm frymëzimi dhe do kesh përgjithmonë mirënjohjen.

Dua të shpreh mirënjohje të thellë për familjen tënde dhe për ata që bën gjithçka që ti të mos niseshe në këtë rrugë. U prehtë në paqe miku im i dashur, i lehtë qoftë dheu i tokës sonë, lamtumirë! /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!