E paska kaq të vështirë sa nuk bëhet. Interi nuk ditka të fitojë këtë sezon në derbin qytetës, dhe Milani mori një tjetër rezultat pozitiv.
Gjithsesi, barazimi në Kupën e Italisë nuk është aq I tmerrshëm për zikaltërit, të cilët do të luajnë gjysmëfinalen e dytë në prani të tifozëve të tyre, dhe kanë ende shpresë për finalen.
Gjithsesi, nuk ka fitore deri tani ndaj kuqezinjve, pasi rezultatet janë dy barazime e dy humbje, në dy sfida në Serinë A, një në Superkupën e Italisë, dhe tani në Kupë.
Kristian Asllani këtë herë nuk ishte as në stol, për shkak pezullimi, siç do të ndodhë edhe mesjavën e ardhshme në Champions ndaj Bajernit, ndërsa epërsia territoriale dhe e gjuajtjeve, nuk I bëri shumë punë ekipit të trajnerit Simone Inzagi.
Milani kaloi I pari në epërsi në nisje të pjesës së dytë, në 47’, kur realizoi sulmuesi anglez, Tami Abraham.
Përpjekjet e kampionëve dhanë rezultat në 67’ kur realizoi mesfushori Hakan Çalhanoglu.
“Derbi I pafundëm, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – Milan-Inter 1-1, vendoset gjithçka në 23 prill! Godet sërish Abraham, Çalhanoglu përgjigjet!”
“Është turku, – titullon “Il Korriere delo Sport”, me foton e Çalhanoglusë, – Çalha i përgjigjet Abrahamit! Finalistja e dytë përcaktohet në 23 prill!”
Interi mbetet me shpresë për të fituar çdo trofe këtë sezon, pra edhe titullin në Serinë A, ku kryeson, edhe Kupën e Italisë, por ndoshta edhe Championsin, që është ëndrra e madhe.