Papa Françesku ndodhet për një vizitë në Hungari ku në fjalën e tij drejtuar qeverisë së Viktor Orban, paralajmëroi për rreziqet e rritjes së nacionalizmit në Evropë. Në fjalën e tij ai, tha se mikpritja e emigrantëve së bashku me pjesën tjetër të kontinentit evropian do të ishte një shenjë e krishterimit, ndërsa iu drejtua udhëheqjes hungareze në pallatin presidencial në Budapest.
Në ditën e parë të vizitës së tij në Hungari, papa bëri thirrje për refuzimin e formave vetëreferenciale të populizmit dhe interesave të rrepta nacionaliste dhe bëri thirrje për kthimin e “frymës evropiane” parashikuar nga themeluesit e Evropës moderne të pasluftës, duke thënë se vendet “duhet të shohin përtej kufijve të tyre kombëtarë.”
Në fjalën e tij para kryeministrit hungarez Viktor Orban, papa paralajmëroi kundër prirjes për t’u kthyer brenda dhe këmbënguli në “nevojën për t’u hapur ndaj të tjerëve”.
Fryma e kushtetutës hungareze, e cila kërkon respekt për pakicat, “është me të vërtetë ungjillore, duke kundërshtuar një prirje të caktuar, e cila ndonjëherë përdor traditat dhe madje edhe besimin si një justifikim, të introversionit,” tha ai.
Në pushtet që nga viti 2010, kryeministri hungarez shpreh angazhimin e tij ndaj fesë dhe gatishmërinë e tij për të mbrojtur “kulturën e krishterë” për të justifikuar politikën e tij të përjashtimit të emigrantëve.
Një mbrojtës i vendosur i të drejtave të refugjatëve, Papa, nga ana e tij, nuk pushon kurrë së kërkuari një pritje bujare dhe shpërndarje të drejtë të refugjatëve në Bashkimin Evropian./abcnews.al