Papa Françesku ka denoncuar “pretendimet fyese dhe të pabaza” se paraardhësi i tij Gjon Pali II dilte natën në kërkim të vajzave të mitura. Komentet e Papës i drejtoheshin Pietro Orlandi-t, motra e të cilit Emanuela u zhduk në moshën 15-vjeçare në qershor 1983 teksa po kthehej në shtëpi në Romë.
Familja Orlandi jetonte në qytetin e Vatikanit, ku babai i saj ishte një punonjës laik. Gjatë marrjes në pyetje me prokurorët e Vatikanit javën e kaluar, Orlandi tregoi një kasetë audio që përmbante një bisedë të supozuar mes një gazetari dhe bosit të një organizate kriminale të Romës, të dyshuar si të përfshirë në zhdukjen e Emanuelës.
Në regjistrim, thuhet se i ndjeri Gjon Pali II, dilte natën me klerikë të tjerë në kërkim të vajzave adoleshente. Rihapja e hetimit pason publikimin në Netflix të “Vatican Girl”, një dokumentar mbi teoritë për këtë çështje.
/abcnews.al