Panuçi: Nuk dorëzohem

schedule12:13 - 21 Nëntor, 2018

schedule 12:13 - 21 Nëntor, 2018

Kristian Panuçi nuk dorëzohet dhe ndihet më I fortë pas fitores me Uellsin. Trajneri italian as nuk dëshiron të dëgjojë për dorëheqje, ndërsa shpreson ta ndryshojë kombëtaren.

Një fitore e vogël, por edhe kaq mjafton për të qenë më i qetë. I tillë u ndje trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi, pas suksesit të diskutueshëm ndaj Uellsit, dhe kjo u duk në analizën që bëri. Një gol i vetëm dhe shumë vështirësi për të fituar një miqësore, që vlen shumë më pak se një duel zyrtar.

“Ishte fitore e rëndësishme sepse dhamë një sinjal pas një Lige të shëmtuar të Kombeve që zhvilluam. Ndryshova diçka me lojtarët, duke i dhënë ekipit më shumë ekuilibër. Jam i lumtur për lojtarët dhe për federatën, sepse që të gjithë vuajmë kur humbasim. Kjo nuk duhet të na bëjë të mendojmë se nuk kemi probleme, sepse kemi ende shumë probleme”, u shpreh trajneri i kombëtares.

Panuçi konfirmoi ndryshimin taktik dhe vlerësoi skuadrën, sidomos në pjesën e dytë.

“Kur ju thashë përpara ndeshjes se ishte faji im, kjo do të thotë se duhej të ndryshoja diçka. Mendoj se pas këtij ndryshimi, djemtë u ndjenë më mirë, ndonëse ishte thjesht një miqësore. Në pjesën e dytë ishte më e vështirë sepse hynë në fushë Bejl apo Ramsej, dhe atyre nuk u pëlqen të humbasin. Ne u treguam të zotët për t’i përballuar, duke qenë kompaktë, e duke dalë tri-katër herë në kundërsulm për të bërë golin e dytë”, tha Panuçi.

Trajneri këmbënguli fort në një fakt të rëndësishëm.

“E ardhmja ime? Është e vërtetë që fitoret krijojnë atmosferë të mirë, dhe është normale që pozicioni im vihet në diskutim. Lojtarët kanë punuar gjithnjë mirë. Nëse do të kisha menduar se lojtarët nuk ishin me mua, do të kisha shkuar tek presidenti për t’i kërkuar dorëheqjen”, tha ai.

Ja dhe një pyetje e drejtpërdrejtë, a do ta japë dorëheqjen pas dështimit në Ligën e Kombeve?

“Unë nuk jap kurrë dorëheqje, sepse më pëlqen të luftoj, nuk dorëzohem. Nuk e braktis varkën kur ajo është në vështirësi”, u përgjigj Panuçi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!