Panik në Hawai, banorët terrorizohen nga alarmi i sulmit raketor

schedule12:13 - 14 Janar, 2018

schedule 12:13 - 14 Janar, 2018

Qytetarët e Hauait kanë kaluar momente paniku për shkak të alarmit se një raketë balistike po vinte drejt tyre. Por ky alarm rezultoi fals pas 38 minutash. Guvernatori i këtij shteti bëri me dije se bëhej fjalë për një gabim njerzor.

Momente paniku janë regjistruar në Hauai, ku është lëshuar alarmi për një lëshim rakete balistike nga Koreja e Veriut. Por që më pas rezultoi fals. “Kërcënim i raketave balistike për në Hawaii. Kërkoni strehim të menjëhershëm. Kjo nuk është një stërvitje”, shkruante mesazhi që u është dërguar në celularët e tyre banorëve të këtij shteti amerikan. Pas 38 minutave nga dhënia e alarmit, erdhi saktësimi se bëhej fjalë për një gabim teknik.

Në sajë të kërcënimit nga Koreja e Veriut, të gjitha sistemet e mbrojtjes ushtarake të Paqësorit u vendosën në gjendje alarmi.
Guvernatori i Hauait, David Ige ka kërkuar falje për momentet e tmerrit që kaluan qytetarët, dhe njoftoi se është shkaktuar nga një punonjës që ka shtypur butonin e gabuar. Qeveria amerikane ka njoftuar se do të ketë një hetim të plotë lidhur me këtë ngjarje. Shtëpia e Bardhë bëri me dije se presidenti Donald Trump, i cili gjendej në Florida në momentin e alarmit, është informuar lidhur me alarmin fals.

Reagimi i banorëve ishte tepër tragjik. Sipas mediave ndërkombëtare, shumica e qytetarëve kanë marrë disa gjëra të nevojshme jetësore dhe janë mbyllur në vendet e emergjencës. Ata kanë qëndruar të mbyllur, duke pritur me lutje, qartësimin e situatës.
Ndërkohë, në Hauai sistemi i alarmit është gjithmonë në gatishmëri për shkak të raketave që mund të vijnë nga Koreja e Veriut. Në dhjetor ky shtet testoi sirenat e paralajmërimit bërthamore për herë të parë që prej përfundimit të luftës së ftohtë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!