Krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian parashikon që ekonomia e bllokut do të tkurret më shumë sesa pritej më parë, për shkak të pandemisë së koronavirusit, e cila, për disa muaj, ka bllokuar biznese dhe jetën publike.
Ekonomia e BE-së do të tkurret për 8.3 për qind këtë vit, dhe do të rritet 5.8 për qind në 2021, sipas parashikimit të Komisionit Europian.
“Rruga për rikuperim është ende e pasigurt”, tha komisionari europian i Ekonomisë, Paolo Gentiloni, për gazetarët në Bruksel.
“Kjo është kryesisht e lidhur me pasigurinë epidemiologjike”, shtoi ai.
Në parashikimin e mëparshëm, të publikuar në maj, kur pjesa më e madhe e kontinentit ishte ende e izoluar, prodhimi i brendshëm bruto parashikohej të tkurrej rreth 7.5% këtë vit dhe të rritej për 6% vitin e ardhshëm.
Gentiloni tha se sfida më e madhe e BE-së në muajt në vazhdim do të jetë gjetja e balancës së duhur midis domosdoshmërisë për të rihapur ekonomitë e BE-së dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.
“Ne duhet të jetojmë me rrezikun e shpërthimeve lokale” që mund të çojnë në rivendosje të izolimeve lokale, të cilat e ngadalësojnë rimëkëmbjen ekonomike, tha Gentiloni.
Sidoqoftë, distancimi social i detyrueshëm do të vazhdojë për ca kohë dhe se disa zakone mund të kenë ndryshuar për mirë. Me fjalë të tjera, ekonomia europiane po i afrohet një “normaliteti të ri”.
Ekonomitë e Francës, të Italisë dhe të Spanjës pritet të tkurren me mbi 10% para se të shënojnë një rimëkëmbje të pjesshme vitin e ardhshëm.
Gjermania, ekonomia më e madhe e Europës, duket se do të pësojë një tkurrje relativisht të butë prej 6.3% këtë vit pasuar nga një rritje prej 5.3% në vitin 2021.
Holanda dhe Polonia gjithashtu parashikohet të kenë tkurrje më pak ekstreme, thuhet në raport.
“Përgjigja e politikave në të gjithë Europën ka ndihmuar në zbutjen e goditjes për qytetarët tanë, megjithatë kjo mbetet një histori e rritjes së divergjencës, të pabarazisë dhe të pasigurisë,” tha Gentiloni.
Sipas të dhënave nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, mbi 178,000 njerëz kanë vdekur në Europë./abcnews.al