Pandemia bllokoi turizmin, 3.7 milionë të huaj më pak hynë në vend, gjysma e turistëve nga Kosova

schedule07:11 - 26 Janar, 2021

schedule 07:11 - 26 Janar, 2021

Karantina në pjesën e parë të 2020-s dhe më pas kufizimi i lëvizjeve në mbarë botën, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19, kanë dhënë ndikim të ndjeshëm në hyrje-daljet e shtetasve të huaj, por dhe udhëtimeve të vendasve.

Kufizimi i qarkullimit të lirë të shtetasve kudo në botë për shkak të pandemisë COVID-19 shkaktoi një rënie masive sidomos të atyre që udhëtonin për turizëm. Arsyet e lëvizjes u kufizuan vetëm për çështje pune ose shëndeti.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020 në vend hynë 2.6 milionë shtetas të huaj, me një rënie prej 58.5%. Si rrjedhojë e kufizimeve, në vend hynë 3.7 milionë shtetas të huaj më pak, duke dhënë ndikim të ndjeshëm në ecurinë e turizmit në vend, por edhe të konsumit, që në gusht, kur kulmon sezoni ishte shumë i dobët, sipas të dhënave të tjera të tregtisë me pakicë.

“ Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2020 është 2.657.818, duke rënë me 58,5 %, në krahasim me vitin 2019. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në vitin 2020, është 2.906.828 duke rënë 50,9 %, krahasuar me vitin e mëparshëm”, tha INSTAT.

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave për lëvizjen e shtetasve tregojnë se rënia më e ulët ishte nga Kosova kjo edhe për shkak të rënies dakord mes dy shteteve për të mos ndalur qarkullimin e lirë në sezonin turistik.

Turistët e Kosovës kanë mbajtur peshën kryesore në turizëm në vend në vitin e pandemisë. Hyrjet e shtetasve nga Kosova në 2020-n përbënin 52% të totalit, nga 35% që ishte kjo peshë vitin e mëparshëm, kur në vend filluan të vinin turistë nga pothuajse e gjithë Europa.

Gjatë vitit 2020, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 38,6 %, ndërsa rënien më të madhe e ka pasur Spanja me 90,3 %, krahasuar me vitin 2019.

Pandemia ka kufizuar lëvizjet te shtetet afër kufirit. Në vend të dytë ishin shtetasit nga Maqedonia, me 14% të totalit, nga 12.7% një vit më parë.

Ndërsa tkurrjen më të fortë e shënuan polakët (-81%), të cilët vitet e fundit e kishin kthyer në destinacion të qëndrueshëm vendin tonë, si dhe spanjollët (-90%)

Numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar, në muajin dhjetor 2020, është 442.966 dhe krahasuar me dhjetor 2019, ky tregues rezulton me rënie 50,7 %. Në dhjetor 2020, numri i shtetasve të huaj që hynë në territorin shqiptar është 180.815, krahasuar me dhjetor 2019, ky numër ka rënë me 37,4 %..

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit dhjetor 2020 janë 215.698. Krahasuar me dhjetor 2019, ky numër ka rënë 55,5 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit dhjetor 2020, janë 155.973. Krahasuar me dhjetor 2019, ky numër ka rënë 47,9 %.

Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2020 është 2.657.818, duke rënë me 58,5%, në krahasim me vitin 2019. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në vitin2020, është 2.906.828 duke rënë 50,9%,krahasuar me vitin e mëparshëm./monitor/