Panariti: Ndërrimi i kartës, për të ndryshuar formatin e grupit të LSI

schedule15:52 - 10 Korrik, 2018

schedule 15:52 - 10 Korrik, 2018

Deputeti i lëvizjes Socialsite për Integrim, Edmond Panariti, ka shpjeguar për ABC News natyrën e situatës, ku është përfshirë pas publikimit të videos gjatë votimit të ligjit për teatrin në parlament, gjatë të cilit prentendohet se ka qenë ai përgjegjës për ndërrimin e votës së ish-deputetit të LSI, Robert Bitri, me atë të Vangjel Tavos.

Edmond Panariti: “Sa herë e mendoj dhe më pyesni aq më tepër më ngjall neveri. Nuk i heq pikë e presje deklaratës që ky është deformim i qëllimtë i votës”.

Është ky reagimi i të akuzuarit nominalisht si përgjegjës për deformimin e votës së 5 Korrikut në parlament, Edmond Panariti, i cili sipas kreut të socialistëve në parlament Taulant Balla është ai, i cili ka ndërruar kartën e deputetit të larguar nga LSI, Robert Bitri me atë të zotit Tavo, i cili nuk ishte prezent në sallë. Për videon e publikuar e ka një shpjegim, ndërsa për deputetin Balla, një sfidë.

Edmond Panariti: “Zoti Balla ka bërë publike një moment, në orën 10 kur ka ndodhur edhe rikonfigurimi i ri i posteve të grupit LSI. Sekretari Brahimllari tha që është vendosur nga grupi që posti i zotit Bitri nuk i takon grupit tonë dhe në këto kushte ka ndodhur ai veprim. Ajo që të identifikon është karta, në momentin që futet karta del emri yt në ekran. Duhet të jesh i verbër të mos e shohësh. Bitri është paraqitur në postin e tij të votimit dhe verifikohet thjeshtë dhe Bitri mund ta deklarojë që e ka hequr kartën e zotit Tavo dhe ka futur të tijën dhe kjo verifikohet me kamera, ndaj filmi nuk mbaron këtu”.

Vendimin e Sekretariatit për procedurat dhe votimin, të zbardhur në seancë plenare nga kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, për konstatimin si të vlefshëm të procesurës së votimit të projektligjit për teatrin…

Edmond Panariti: “Si mund të quhet votim i vlefshëm, kur deklaron votues një person që nuk ka qenë fizikisht?  Për herë të parë e dëgjoj”.

Pretendimin e Taulant Ballës për negociata mes grupit të ti parlamentar dhe atij të Lëvizjes Socialiste për Integrim për votimin e ndryshimit të ligjit të reformës në drejtësi, i cili për miratim kërkon 84 vota në parlament i përgjigjet me fjalët e kreut të grupit të tij parlamentar Petrit Vasili.

Edmond Panariti: “Kjo është një e pavërtetë e madhe. Ne nuk kemi asnjë ftesë dhe asnjë bisedë për këtë projektligj”.

Muhabet kulisash i quan ato që mungesën e opozitës në seancën e së hënës e konsiderojnë frikë për rrjedhje votash pasi sipas Edmond Panaritit, e vetmja mënyrë se si Lëvizja Socialiste për Integrim do të votonte ndryshimet që do i lejonin studentëve të regjistrohen në shkollën e magjistraturës, do të ishte rikthimi i ligjit në komision dhe marrja e opinionit të opozitës gjatë diskutimit të tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!