Për dy ditë me radhë, “Panairi i turizmit shqiptarë” rikthehet për të katërtin vit në Pallatin e Kongreseve, si eventi më i rëndësishëm në vend dedikuar sektorit të turizmit në Shqipëri.
“Tourism Fair Albania” është konsoliduar ndër vite si një platformë strategjike e industrisë së turizmit, duke bashkuar operatorë turistikë, destinacione, struktura akomoduese, kompani, teknologji për sektorin e mikpritjes, institucione publike dhe blerës profesionistë ndërkombëtarë, me fokus bashkëpunime konkrete dhe zhvillim të qëndrueshëm.
“Ata që kanë kuriozitetin të vijnë të shohin një panair me 145 ekspozues, të cilat janë hotele, struktura akomoduese që vijnë me oferta turistike, ture operatore, pra gjithë sektori mbështetës i turizmit. TFA26 do të sjellë në Tiranë 40 blerës ndërkombëtarë nga mbi 18 vende të botës, përfshirë tregje me potencial të lartë si SHBA, Kanada, Japoni, Kinë dhe Tajlandë, si dhe tregje kyçe europiane si Anglia, Gjermania, Irlanda dhe Franca”, tha Enejda Shehu.
Gjatë dy ditëve, mbi 15 panele do të diskutojnë tematika aktuale të sektorit të turizmit, si: promovimi dhe pozicionimi i destinacioneve në tregun global, teknologjia në sektorin e mikpritjes, punësimi, bashkëpunimi ndër rajonal, si dhe inteligjenca artificiale në turizëm.
Panelet do të sjellin jo vetëm analiza dhe perspektiva profesionale, por edhe përvoja konkrete nga ekspertë të njohur të sektorit, si dhe nga profesionistë të terrenit që kontribuojnë çdo ditë në zhvillimin e industrisë së turizmit.
“Jemi në panair me 7 linja ajrore partnere për të vendosur në kontakt tureoperatorët dhe agjencitë turistike që janë të interesuara për bashkëpunim me linjat ajrore. Linjat ajrore që marrin pjesë në panair janë të reja, por, edhe ata që kanë qenë siç mund të përmendim Wizzer, me 62 destinacione”, tha Manjola Kaso TIA.
“Ndoshta një pjesë e këtyre bujtinave nuk kanë pasur mundësi të jenë pjesë e këtyre platformave për të bashkëpunuar. Kjo është synimi si ti bëjmë bashkë për nj ndërveprim, hotelerinë, bujtinën, strukturat akomoduese”, tha Fabjola Arapi , GIZ:
“Qëllimi jonë në vetvete është se ne jemi në krah të hotelerive për bashkëpunim në akomodomin e turistëve, që ata të ndihen sa më komod dhe rehat”, tha Bruno Lloshi.
Vizitorët do të kenë mundësinë të njihen nga afër me kulturën, traditat dhe ofertën turistike të Shqipërisë dhe rajonit, përmes prezantimeve, performancave artistike dhe aktiviteteve që e kthejnë panairin në një event të gjallë dhe të aksesueshëm për të gjithë. Panairi do të jetë i hapur për të mirëpritur publikun e gjerë në data 11 dhe 12 shkurt, dhe pjesëmarrja është falas./abcnews.al


