Panairi i librit/ Dudaj në “Real Story”: Duhet të ketë promovim gjatë gjithë vitit. Berhami: Të krijojmë hapësira bashkëbisedimi me lexuesin

schedule20:40 - 14 Nëntor, 2024

schedule 20:40 - 14 Nëntor, 2024

Panairi i Librit, që nisi edicionin e 27-të një ditë më parë, do të vijojë deri më 17 Nëntor në Pallatin e Kongreseve. Duke diskutuar për këtë në emisionin “Real Story”, botuesja Arlinda Dudaj u shpreh se promovimi i librave nuk duhet të bëhet vetëm në panair por të vazhdojë gjatë gjithë vitit.

“Ka një entuziazëm si ndodh gjithmonë, njerëzit në përgjithësi vijnë në fundjavë dhe që nga nesër pritet bumi. Duket interesant, është një moment në një vit që flitet për librin dhe njerëzit e kanë krijuar këtë traditë që në nëntor kemi panairin. Po ajo që më shqetëson është se farë ndodh më pas. Pyetja ime është nëse këto libra lexohen dhe impakti që ka panairi. Shumë mirë që e kemi por diskutimet dhe promovimi për librin duhet të jetë vazhdimisht. Kjo është ajo që më shqetëson sepse nëse do të flitej në të gjithë vitin do të dinin se farë do të kërkonin në panair. Duke qenë se bëhen shumë promovime gjatë kësaj kohe, shumë libra kalojnë pa vëmendje. Është bërë pak si fast food.”, u shpreh Dudaj.

Ndërsa botuesja Loreta Berhami theksoi se është e nevojshme që të ketë edhe hapësira bashkëbisedimi me lexuesin.

“Unë personalisht sa herë që gjej ose më gjen një shkrimtar i ri, një aspirant dhe janë të shumtë gjatë vitit dhe shumica kujtohen në masë në shtator, unë marrë lum propozimesh. Dhe të gjithëve iu këshilloj që të mos kujtohen në shtator që të botohen në nëntor. E dyta, nuk është një lloj që mos u përpiq që të dilni në nëntor për këtë arsye. Panairi i librit lejon një gjë që s’e kemi në momente të tjera, që është ballafaqimi me lexuesin. Me pak përjashtime dhe pak vende në Tiranë, s’ke hapësira që të bësh një promovim dhe të bashkëbisedosh me lexuesin tënd. Kjo e shtyn shumë njerëz, që janë të letrave, të botojnë gjatë panairit. Këta të rinjtë duhet të dalin nga këto skema se ka plot botues që i promovojnë librat gjatë vitit. Nëse dikush ka vërtet vlera, ka më shumë shans që të njihet gjatë vitit sesa nga panairi.”, tha Berhami./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!