Përfaqësuesja e Partisë Demokratike Orjola Pampuri u takua sot me të miturin 15 vjeçar, që u rrah një ditë më parë nga punonjësi i Policisë në zonën e Liqenit Artificial.
Ajo tha se ndodhet atje si nënë, dhe si e tillë është trishtuar shumë kur ka parë pamjet e dhunimit të të miturit.
“Kam ardhur për t’i mbështetur si nënë. E kam parë videon bashkë me djalin dhe e kemi përjetuar shumë keq. Ata policë nuk mund të dhunojnë adoleshentin por duhet ta kishin këshilluar Dhuna është e pafalshme. Brenda mureve të shtëpisë ne i rrisim me mund, dhe kur dalin jashtë t’i dhunojnë kjo është e papranueshme”, tha Pampuri.
Sarandi tregoi edhe njëherë ngjarjen, ndërsa nëna e tij shprehu keqardhjen dhe pasigurinë krijuar nga trajtimi që i është bërë djalit të saj.
“Faleminderit. Nuk ia uroj askujt këtë sprovë por kjo është shumë e rëndë. Djali im ka një muaj që i ka bërë 15 vjeç. Kishte vetëm një javë që kishte dalë. Nuk e kuptoj pse e qëlluan, pse e morën në rajon. Nuk kam vënë gjumë në sy dje. Nuk di ku të kërkoj ndihmë psikologjike. Unë jam qytetare e këtij vendi. Kam pasur mundësi të largohesha nga ky vend, por nuk kam ikur. Po tani ndihemi të pasigurtë”, u shpreh nëna e tij.
“Kam qenë me shokët e mi të ngushtë dhe do u kthenim nëpër shtëpi. Më tha zbrit nga biccikleta dhe nuk zbrita sepse kisha frikë se ma merrnin. Më pyetën për moshën, pastaj erdhën disa policë. Nuk zbrita sepse kisha frikë. Më kapën deshën të më vinin prangat. Më qëlluan. Më çuan në komisariat dhe më bënin presion. Kur erdha në shtëpi isha i habitur. Nuk u ndjeva mirë fare. Më goditën edhe brenda makinë. I njëjti polic. Në rajon më bëri presion”, tha Sarandi. /abcnews.al