Pamjet e reja të teleskopit Webb, Neptuni dhe unazat e tij më të qarta se asnjëherë më parë

schedule17:14 - 21 Shtator, 2022

schedule 17:14 - 21 Shtator, 2022

Teleskopi Hapësinor James Webb demonstroi edhe një herë aftësitë duke fotografuar Neptunin dhe unazat e tij. Ato janë fotografitë më të qarta të unazave të planetit të largët të marra në më shumë se tre dekada, që kur u fotografuan nga Voyager 2 në vitin 1989.

Disa nga unazat dinamike të Neptunit po fotografohen për herë të parë, ndërsa të tjerat nuk janë parë kurrë më parë kaq qartë. Neptuni, i cili është 30 herë më larg nga Dielli se Toka, ka magjepsur astronomët që kur u zbulua në vitin 1846. Duhen 164 vjet për të përfunduar një orbitë rreth Diellit (kjo është gjatësia e vitit të tij).

Planeti karakterizohet si një gjigant akulli dhe, krahasuar me dy planetët e tjerë gjigantë në sistemin tonë diellor, Jupiterin dhe Saturnin, është shumë më i pasur me elementë kimikë më të rëndë se hidrogjeni dhe heliumi.

Webb fotografoi gjithashtu shtatë nga 14 hënat e njohura të Neptunit, më së shumti Triton, i cili është i mbuluar me azot të ngrirë të kondensuar dhe reflekton rreth 70% të dritës së diellit që bie mbi të, duke e bërë atë të duket shumë më e ndritshme se Neptuni. Vëzhgime të mëtejshme të Neptunit dhe Tritonit me Webb janë planifikuar për vitin 2023.

Teleskopi Hapësinor James Webb është zhvilluar nga NASA amerikane në bashkëpunim me ESA evropiane dhe CSA kanadeze. Ashtu si në rastin e teleskopit hapësinor Hubble, shkencëtarët evropianë kanë rënë dakord që të kenë të drejtën për të paktën 15% të kohës totale të vëzhgimit me Webb. /abcnews.al

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!