Pamjet ekskluzive të marra nga Ruptly tregojnë një martesë në një kishë në Ain El Remmaneh, afër Bejrutit, në momentin kur shpërthimet tronditën zonën e portit të kryeqytetit.
Në video shihet momenti i shpërthimit duke shkaktuar panik tek personat brenda kishës, mes të cilëve ishin nusja Rita Assaf dhe dhëndri Tony Abou Rachid. Një grua dhe një burrë janë parë duke bërë shenjën e kryqit në drejtim të altarit përpara se të largoheshin nga kisha.
Nuk u raportua për asnjë të vdekur apo për persona të lënduar. Ne video shihen xhama të thyer dhe dritare të dëmtuara, si dhe tymi masiv që ngrihej mbi kryeqytetin libanez.
Të martën pasdite, dy shpërthimet e fuqishme tronditën zonën e portit të Bejrutit, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 157 personave dhe plagosjen e më shumë se 5000 personave sipas raporteve paraprake. Numri i viktimave pritet të rritet ndërsa vazhdojnë përpjekjet për të gjetur persona të gjallë nën rrënoja.
Të Premten, Presidenti Libanez Michel Aoun tha që ai nuk e përjashtoi “mundësinë e ndërhyrjes së jashtme përmes raketave ose bombave ose ndonjë akti tjetër” që qëndron prapa shpërthimeve. /abcnews.al