Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, gjatë një bisedimi online me gazetarët ka zbuluar edhe diskutimin që kishte me kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta si dhe me kreun e opozitës Lulzim Basha.
Palemer ka theksuar se një nga temat kryesore në bisedimin online me krerët e politikës në Shqipëri, ishin zgjedhjet e 25 prillit, duke theksuar se SHBA pret që zgjedhjet në vendin tonë të jenë të lira dhe transparente dhe të zhvilluara sipas standardeve më të larta demokratike.
Më tej Palmer ka shtuar në fjalën e tij se është e rëndësishme që zgjedhjet e 25 prillit të jenë të suksesshme, jo në kuptimin e fitores së një partie të caktuar apo një kandidati të caktuar, por të suksesshme institucionalisht, nga pikëpamja e procesit dhe strukturalisht, në mënyrë që të shihen si të drejta dhe transparente dhe të ofrojnë një rezultat që pasqyron vullnetin e atyre që dolën për të votuar dhe ushtruar të drejtat e tyre demokratike.
Një temë tjetër sipas Palmer ka qenë ajo mbi stërvitjet Defender 21 që po vijnë. Palmer nuk ka lënë pa përmendur Refomrën në Drejtësi për të cilën ka thënë se duhet të vijojë.
Palmer më tej ka shtuar se SHBA mbeten të përkushtuar ndaj një të ardhmeje europiane dhe euro-atlantike për Shqipërinë.
“Në lidhje me pritshmëritë për 25 prillin, mendoj se të gjithë po punojnë drejt një procesi që të jetë sa më i ndershëm dhe i drejtë që mundet, dhe do të ketë goxha luftë politike rrugës, dhe kjo është pjesë normale e politikës demokratike. Por ajo që ka vërtet rendësi dhe sigurisht pozicioni që kam artikuluar dhe kam bërë të qartë është që institucionet e qeverisjes demokratike të jenë të forta dhe të shihen si legjitime nga publiku dhe që proceset të jenë transparente dhe llogaridhënëse dhe prodhojnë rezultate që pasqyrojnë vullnetin e publikut nëpërmjet një procesi demokratik. ” ka thënë Palmer.
Deklarata e Palmer:
ZV/NS Palmer: Ju faleminderit shumë dhe faleminderit që u bashkuat me mua. Ka qenë kënaqësi e vërtetë të angazhohem në një vizitë qoftë edhe virtuale në Tiranë, e cila, të themi të drejtën, është një kopje e zbehtë e një vizite të vërtetë, dhe ushqimi nuk i afrohet fare. Por është vërtetë kënaqësi të kem mundësinë të ulem dhe bisedoj me disa miq të vjetër. Pata mundësinë sot të flas me Kryeministrin, të flas me Presidentin Meta, të flas me Lulzim Bashën. Ambasada organizoi një diskutim të jashtëzakonshëm me gjyqtarë, avokatë, prokurorë dhe gazetarë që janë aktivë në lidhje me reformën në drejtësi dhe ishte një grup vërtetë shumë i talentuar dhe i përkushtuar njerëzish. Dhe pata një diskutim shumë interesant lidhur me ritmin dhe shtrirjen dhe drejtimin e përpjekjeve për reformën në drejtësi në Shqipëri. Sa më përket mua, në bisedat e mia me Kryministrin, Presidentin, dhe Z. Basha, diskutuam mbi stërvitjet Defender 21 që po vijnë dhe vlerën që shohim në thellimin dhe rritjen e marrëdhënies së mbrojtjes dhe sigurisë me Shqipërinë si një partnere në NATO, një aleate në NATO. Diskutuam mbi zgjedhjet që po vijnë, rëndësinë që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë garantimit që zgjedhjet të ishin të lira dhe transparente dhe të zhvilluara sipas standardeve më të larta demokratike; që listat e kandidatëve të ishin të pastra; që ata të cilëve nuk iu duhen besuar poste me përgjegjësi të mos përfshiheshin në listat e kandidatëve; rëndësinë që ka që të sigurohet besim i publikut shqiptar në rezultatet e zgjedhjeve; që të kenë besimin që rezultatet pasqyrojnë vullnetin e elektoratit; që qeveria që del nga zgjedhjet është një shprehje legjitime e vullnetit të popullit. Nënvizova në të gjitha bisedat e mia masën në të cilën Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të qenë një partner i mirë dhe i fortë për Shqipërinë si dhe mirënjohjen tonë për gatishmërinë e Shqipërisë për të qenë një partnere e mirë dhe e fortë për Shtetet e Bashkuara. Mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje europiane dhe euro-atlantike për Shqipërinë. Shpresojmë shumë të shohim marrëveshjen nga ana e Këshillit Europian në qershor, për konferencën e parë ndër-qeveritare që do të lançonte formalisht procesin e negociatave, negociatave për anëtarësim. Me qëllim që të arrihet ky synim në qershor, është me rëndësi që Shqipëria të vazhdojë të bëjë përparim me reformën në drejtësi. Dhe është e rëndësishme që zgjedhjet e 25 prillit të jenë të suksesshme, jo në kuptimin e fitores së një partie të caktuar apo një kandidati të caktuar, por të suksesshme institucionalisht, nga pikëpamja e procesit dhe strukturalisht, në mënyrë që të shihen si të drejta dhe transparente dhe të ofrojnë një rezultat që pasqyron vullnetin e atyre që dolën për të votuar dhe ushtruar të drejtat e tyre demokratike. Më lejoni të ndaloj këtu dhe të marr disa pyetje. Dhe, pres me kënaqësi bisedën që do të zhvillojmë. Faleminderit që keni marrë kohë sot. Jam mirënjohës dhe e vlerësoj. E.L/abcnews.al/