Palmer dhe Lajçak në Kosovë, analistët: Biden solli koordinim mes SHBA dhe BE për dialogun

schedule20:14 - 2 Qershor, 2021

schedule 20:14 - 2 Qershor, 2021

Nga Linda Karadaku

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak dhe zëvendës- ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit, Mathew Palmer, bënë një vizitë të përbashkët në Kosovë ku u takuan me zyrtarët më të lartë të vendit dhe përfaqësuesit e opozitës. Vizita u bë vetëm pak javë para rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi shihet si përgatitje e takimit të parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Po çfarë thonë për të analistët në Kosovë? Ehat Miftaraj, Instituti i Kosovës për Drejtësi u shpreh se “Që nga ardhja e administratës Biden në fillim të këtij viti, padyshim që kemi një koordinim dhe një bashkë-rendim midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, lidhur me negociatat, lidhur me dialogun përfundimtar që duhet të zhvillohet midis Kosovës dhe Serbisë.

Ajo që padyshim ka qenë insistuese nga ana e Serbisë, por edhe nga ana e faktorit ndërkombëtar është që në njëfarë mënyre nuk kanë hezituar ta përmendin edhe në publik është që Kosova si duket duhet të jetë më e hapur, më e pranueshme në raport me Asociacionin e Komunave serbe në Kosovë, ku përderisa pala serbe kërkon kompetenca ekzekutive, Republika e Kosovës, institucionet e saj, në bazë edhe të vetë asaj që ka përcaktuar akt-vendimi I Gjykatës Kushtetuese, insistojnë që ky institucion të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe në pajtim me Kartën Evropiane, sa i përket të drejtave dhe lirive të komuniteteve jo-shumicë në Kosovë”.

Ardian Arifaj tha se “Lajmi kryesor nga vizita e të dërguarve specialë për dialogun Kosovë-Serbi, është se në fakt kanë ardhur të dy së bashku, pra shohim një përpjekje së paku për koordinim, për bashkërendim të veprimit, të qëndrimeve në mes të BE-së dhe SHBA-së, dhe kjo është ajo që I ka munguar procesit. Në anën tjetër nuk pamë një qartësim sesi do të duket procesi, si do të vazhdojë procesi, dhe mbi të gjitha, si do të duket finalja e këtij procesi. Kjo mbetet të përcaktohet dhe kjo është pikëpyetja më e madhe e këtij procesi, pra të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë”./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!