Pallati në Golem i pabanueshëm,12 vjeçari në ankth: Nuk kthehem në këtë shtëpi

schedule11:20 - 3 Dhjetor, 2019

schedule 11:20 - 3 Dhjetor, 2019

Një familje 4 anëtarëshe në Golem të Kavajës fle në makinë prej një jave, për shkak të panikut nga tërmeti. Dy djemtë e familjes, 10 dhe 12 vjeç nuk pranojnë të kthehen në banesë, ku përjetuan tmerrin e tërmetit të 26 nëntorit. Ndërsa i ati pret një vlerësim nga ekspertët mbi gjendjen e pallatit.

“Duam të jetojmë në një shtëpi të fortë me nja bazament të fortë  mos të lëvizë nga tërmeti dhe mos të tronditemi më nga tërmeti”.

Kështu e nis rrëfimin Orgeni nga Golemi i Kavajës. Pallati në të cilin banon 12 vjecari me familjen e tij është shpallur i pabanueshëm. Dy  vëllezërit Sallaku, 10 dhe 12 vjeç rrëfejnë për ABC News përjetimin e tmerrshëm të mëngjesit se 26 nëntorit.

“Mbaj mend babin që na kapi prej krahësh, ishte tepër errësirë, pashë mamin dhe babin të trembur. Ne kaluam direkt hekurat, na tha babi, dhe ne kaluam, tjetër nuk mbaj mend”.

Babai i dy djemve tregon se ata nuk mund të kthehen në shtëpinë ku kaluan moment ankthi e paniku.

Gazetarja: Keni frikë të ktheheni në shtëpi?

“As bëhet fjalë të kthehem më këtu. Siç e shikoni po flemë në makinë bashkë me nusen dhe dy fëmijë. Plus që edhe po të shkoj në shtëpi të tjera, fëmijët nuk shkojnë se janë të trembur, nuk pranojnë, vetëm në makinë rrinë”.

Bujari është njëkohësisht edhe administrator i pallatit. Ai kërkon nga ekspertët  të vendosin sa më parë çfarë do të bëhet më këtë objekt.

“Ne kërkojmë të paktën të vijnë personat kompetentë dhe të na thonë banohet në këtë pallat apo nuk banohet. Siç e shihni, ky ka marrë dëmtime në kollona, në mure, kjo është anuar në një krah, që s’ke as çfarë ti riparosh më. Jemi munduar ta përforcojmë me ca mentela por prapë është e paarritshme”.

Ky  pallat ne Golem kishte pasur dëmtime qe nga tërmeti i 21 shtatorit, por banoret i kishin  riparuar vete ato./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!