Pallati i menjanuar mbi 50 cm, banorët e dëmtuar nga tërmeti në Durrës: Do ti drejtohemi SPAK

schedule19:08 - 13 Shkurt, 2020

schedule 19:08 - 13 Shkurt, 2020

Rreth 40 familje, në lagjen numër 5 në Durrës, jetojnë në një pallat të dëmtuar nga tërmeti. Pjesa më e madhe e tyre kanë ngritur akuza të forta për pronarët e firmës, oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurorë.

Sipas tyre ata bashkëpunojnë që ky pallat të mos shpallet i pabanueshëm në një kohë që ai është mënjanuar dhjetra centimetra.

“E ka ndërtuar firma Hadërgjoni, por në lojë është Kastrati sepse e ka blerë me prokurë këtë pallat, në këtë mënyrë financon që pallati të mos kalojë i pabanueshëm. Në 7 katë ka ceduar 42 cm, kurse në 12 kate 53 cm. Oficeri i Policisë Gjyqësore Emiljano Mema dhe prokurorja e kësaj çështjeje e kanë shtyrë çështjen”, tregon një prej banorëve.

Këta banorë kanë bërë gati dhe dokumentat që këtë problem ta ndjekë SPAK, por zvarriten nga prokurorja dhe OPGJ-ja.

“ I kam çuar dokumentat për SPAK, por prokurorja e kësaj çështje bashkë me OPGJ nuk i lëshon letrat”, tha ai.

Përfaqësuesi banorëve të këtij pallati ironizon dhe KÇK-në.

“ Kush vjen këtu, kapin diçka edhe ikin, këta punojnë bashkë. Prokuroria dhe Policia punojnë bashkë, i ndajnë paratë bashkë. Këtu i vendosin shiritat në darkë dhe i heqin në mëngjes”, shprehet një prej qytetarëve.

Qytetarët kërkojnë që të bëhet një studim i thelluar pasi po flenë ende rrugëve.

 “Katet shtesë janë edhe më të rrezikshme. Fijet e kollonave janë deri në shtatë kate, të tjerat janë shtuar më pas”, shprehet një tjetër qytetar.

Mosvlerësimi i detajuar i dëmtimeve të këtij pallati ka alarmuar dhe banorët e tjerë që jetojnë shumë pranë.

“Kam frikë të qëndroj këtu, kemi shtëpinë private. Këto pallatet i kanë ngritur mbi normativën”, tha një tjetër banor.

Lagjja 5 e Durrësi është ndër më të dëmtuarat nga termeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar. Dhjetra pallate që ndodhen pranë njëra tjetrës kanë çeduar disa centimetra deri një metër nga pozicioni fillestar./abcnews.al