Mes frikës dhe të çarave në godina: Një numër i madh pallatesh në Tiranë kanë pësuar dëmtime

schedule16:31 - 5 Dhjetor, 2019

schedule 16:31 - 5 Dhjetor, 2019

Pallate të shumta në kryeqytet janë dëmtuar dhe banorëve nuk iu është thënë nëse duhet të qëndrojnë brenda godinave apo të shkojnë diku tjetër.

Grupi i xhirimit i ABC News vëzhgoi nga afër gjendjen e disa familjeve në zonën e Freskut dhe te blloku i banimeve të rrugën “Myslym Keta”, ku asnjë inxhinier nuk ka parë nga afër dëmtimet e pësuar në apartamentet e tyre.

Tirana është rrethi i dytë më dëmtuar nga tërmeti pas Durrësit. Ndryshe nga qyteti bregdetar që banorët kanë marrë një përgjigje për dëmtimit në banesat në kryeqytet ky veprim nuk është kryer ende në disa zona.

Banorët e bllokut pallateve në rrugën “Myslym Keta” jetojnë në apartamente të dëmtuara. Kuvendojnë me njëri-tjetrin pasi asnjë specialist i certifikuar nuk iu ka thënë nëse janë dëmtuar kolonat mbajtëse të pallatit apo janë çarë muret e brendshme.

Jetmiri Quku na fton për të parë gjendjen brenda banesës së tij. Frika mbetet evidente për kryefamiljarin që dikur ka qenë emigrant në Itali.

Ky 76-vjeçar kërkon informacion se çfarë duhet bërë me dëmet e shkaktuara nga tërmeti dhe sa kohë duhet të qëndrojnë pa u monitoruar godina. Zhvendosemi në një tjetër zonë të Tiranës.

Edhe pse janë ndërtime të reja, shumë pallate në zonë Freskut u dëmtuan. Por përsëri banorëve nuk iu është thënë gjë nëse duhet të qëndrojnë brenda shtëpive apo të largohen.

Enver Klosi është në pritje të një përgjigje nga Bashkia e Tiranës. Ai na tregon se shumë banorë janë larguar nga hyrja e tij te të afërmit dhe larg nga kryeqyteti.

365 pallate janë dëmtuar në Tiranë nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa shtëpi banimi janë 4700./abcnews.al