Palestinezët nën rrethim/ Ata që nuk vriten, vdesin nga sëmundjet

schedule10:15 - 14 Dhjetor, 2023

schedule 10:15 - 14 Dhjetor, 2023

Banorët e rrethuar të Rripit të Gazës, të cilët deri më tani i kanë mbijetuar sulmeve të Izraelit, po kërcënohen nga një vrasës i padukshëm dhe i heshtur: sëmundja.

Mungesa e ushqimit, ujit të pastër dhe strehimit ka çuar në varfëri qindra mijëra njerëz, dhe me sistemin shëndetësor të rrënuar, shpërthimet në enklavë janë të pashmangshme.

“Stuhia e epidemive ka filluar. Tani lind pyetja se sa keq do të bëhet,” tha zëdhënësi i Unicef, James Elder në një intervistë të martën.

Nga 29 nëntori deri më 10 dhjetor, numri i rasteve të diarresë tek fëmijët nën 5 vjeç është rritur me 66%, në 59,895 dhe për pjesën tjetër të popullsisë me 55%, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, raporton abcnews.al.

Agjencia e OKB-së theksoi se këto shifra nuk pasqyrojnë realitetin pasi çdo sistem dhe shërbim në Gaza është shembur për shkak të luftës.

Shefi i departamentit pediatrik në spitalin Nasser në Khan Younis, në Gazën jugore, Ahmed al-Fara that ë martën se departamenti i tij është plot me fëmijë që vuajnë nga dehidratimi, i cili në disa raste shkakton dështim të veshkave, ndërsa rastet e diarresë akute janë katër herë më shumë se zakonisht.

Al Farah theksoi se ka 15 deri në 30 raste të hepatitit A në Khan Younis vetëm gjatë dy javëve të fundit.

Qindra mijëra njerëz në Gaza janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe po jetojnë në kampe të improvizuara, ndërtesa të braktisura, shkolla, tenda. Shumë të tjerë flenë në ambient të hapur, me akses të kufizuar në tualet ose ujë për t’u larë, raporton abcnews.al.

Në të njëjtën kohë, 21 nga 36 spitalet e Gazës janë jashtë funksionit, ndërsa 11 janë pjesërisht funksionale dhe katër minimalisht funksionale, sipas të dhënave të OBSH-së të datës 10 dhjetor.

Marie-Or Perot, koordinatore e operacioneve të Medecins Sans Frontieres (MSF) në Gaza, tha se OJQ-ja u largua nga një qendër shëndetësore në Khan Younis dhjetë ditë më parë, sepse Izraeli kishte bërë thirrje që zona të evakuohej.

Në këtë qendër mjekët merreshin me rastet e sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes, diarresë dhe sëmundjeve të lëkurës.

Sipas Perot, dy gjëra janë të pashmangshme.

“E para është se një epidemi si dizenteria do të përhapet në Gaza dhe tjetra është se as Ministria e Shëndetësisë dhe as organizatat humanitare nuk do të mund të bëjnë asgjë kundër këtyre shpërthimeve.”

Studiuesit në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër paralajmëruan në një raport më 6 nëntor se efektet indirekte të luftës do të përkeqësohen me kalimin e kohës.

Ata theksuan se dy muaj pas fillimit të luftës pritet të ketë rritje të shkallës së kequshqyerjes së foshnjave. Punonjësit e ndihmës thanë se ekspertët në Londër parashikuan saktësisht se çfarë po ndodh tani, raporton abcnews.al.

Sipas tre ekspertëve, sëmundje të tilla si dizenteria dhe diarreja mund të vrasin po aq fëmijë sa bombardimet izraelite.

Agjencia e OKB-së për Refugjatët e Palestinës (UNRWA) njoftoi se dy muaj luftime të ashpra të kombinuara me “një rrethim shumë të ashpër” kanë detyruar 1.3 milionë nga 2.3 milionë banorët e Gazës të kërkojnë strehim në objektet e saj.

“Shumë prej vendeve të strehimit janë të mbushura me njerëz që kërkojnë siguri, katër ose pesë herë kapaciteti i tyre,” tha Juliet Touma, drejtoreshë e komunikimit e UNRWA.

“Shumica e strehimoreve nuk kanë tualete, dushe apo ujë të pastër.” Që nga fillimi i luftës, 135 pjesëtarë të shërbimit janë vrarë dhe 70% e personelit të saj janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Këto janë dy nga arsyet pse UNRWA operon nëntë nga 28 klinikat e saj, shpjegoi Touma.

Që nga fillimi i luftës, të paktën 364 sulme kundër infrastrukturës shëndetësore janë regjistruar në Gaza, sipas raportuesit special të OKB-së të shëndetësisë  Tlaleng Mofokeng.

Më shumë se 300 anëtarë dhe mjekë të ministrisë së shëndetësisë të Gazës janë vrarë. Ministria e Shëndetësisë e Gazës njoftoi dje se rezervat e saj të vaksinave për fëmijët kanë mbaruar.

Natën e kaluar erërat e forta dhe shirat e dendur goditën Rafa-n ku është krijuar një kamp i improvizuar për personat e zhvendosur, duke bërë që ajo të përmbytet dhe njerëzit të detyrohen të kalojnë natën të përmbytur nga uji, raporton abcnews.al.

OKB-ja po monitoron ndikimin e 14 sëmundjeve që mund të zhvillohen në epidemi dhe është më e shqetësuar për shpërthimet e dizenterisë, diarresë dhe sëmundjeve të frymëmarrjes.

Dr. Paul Spiegel, drejtor i Qendrës për Shëndetin Humanitar në Shkollën e Shëndetit Publik John Hopkins Bloomberg me qendër në Kajro dhe që punon në përgjigjen e OKB-së, vuri në dukje se një epidemi e diarresë mund të shpërthejë edhe nesër nëse nuk lejohet në Gaza, kalimi i kamionëve apo ujit të pastër.

Për të parandaluar shpërthimet, punonjësit e ndihmës theksojnë se spitalet dhe qendrat shëndetësore duhet të jenë në gjendje të ofrojnë kujdes për një numër të madh njerëzish të prekur nga sëmundjet, raporton abcnews.al.

Në të njëjtën kohë, uji i pijshëm dhe uji i përdorur për larje duhet të plotësojnë standardet minimale humanitare, ndërsa sasi më të mëdha ushqimore dhe ilaçesh duhet të hyjnë në Gaza.

Mjekët në spitalin Abu Yousef al-Nazar në Rafah thanë se vendi  është i tejmbushur me njerëz që kanë nevojë për kujdes për infeksione dhe sëmundje ngjitëse për shkak të kushteve të mjerueshme në strehimoret e mbipopulluara, raporton abcnews.al.

Al Farah vuri në dukje se armiqësitë e vazhdueshme e bëjnë të vështirë për familjet që t’i çojnë fëmijët e tyre të sëmurë në spital në kohë për të marrë kujdesin e duhur, i cili gjithsesi nuk do të jetë adekuat për shkak të mungesës së ilaçeve.

Fëmijët po pinë ujë që nuk është i përshtatshëm për t’u pirë”,theksoi ai. “Nuk ka fruta, perime, kështu që fëmijët kanë mungesë të vitaminave përveç anemisë nga kequshqyerja”.

Edhe banorët më të pasur të Gazës, të cilët punojnë për organizata ndërkombëtare apo grupe gazetareske, thonë se fëmijët e tyre tani janë të sëmurë dhe nuk kanë ushqim dhe ujë të mjaftueshëm.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!