“Palaçot ndërkombëtarë janë duke flirtuar me armikun”, Patozi: Na ftojnë të përleshemi me njëri-tjetrin

schedule15:43 - 24 Nëntor, 2019

schedule 15:43 - 24 Nëntor, 2019

Sipas kreut të Bindja Demokratike, Astrit Patozi kjo reformë zgjedhore po asistohet edhe nga ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt.

Në rrjetin social “Facebook”, Patozi ka shpërthyer në kritika të ashpra ndaj politikanëve shqiptarë duke theksuar se janë super të organizuar në kaosin e luftës së tyre.

“Vini re sa të organizuar janë në spontanitetin dhe kaosin e luftës së egër midis tyre”, shkruan Patozi.

Statusi i Astrit Patozit:

TË SUPERORGANIZUAR NË KAOSIN E LUFTËS SË TYRE

Vini re sa të organizuar janë në spontanitetin dhe kaosin e luftës së egër midis tyre!

I pari ka vendosur ta mbrojë kushtetutën me trupin e vet, qoftë edhe i vetëm në një betejë titanike, ku është zbuluar se palaçot ndërkombëtarë janë duke flirtuar me armikun.

I dyti na thotë të ëndërrojmë mrekullinë, që do të shpërthejë në “Shqipërinë që duam”, duke na tundur para syve flamurin e rreckosur të një drejtësie të munguar, e cila do të vonojë, por nuk do të harrojë.

Ndërsa i treti e ka marrë më me nge, pasi është duke na intriguar të përfytyrojmë “Bagëti e bujqësi” të Naim Frashërit në versionin digjital, sepse i kanë premtuar se ditë më të mira paskëtaj do të vijnë.

E ndërkohë që populli nuk di ku të përqëndrohet më parë prej këtij rivaliteti të ashpër, në komisionin e Damianit dhe të Rudinës, që asistohet fort nga ambasadori Borchardt, po i jepen duart e fundit debatit për seksin e engjëjve, në mënyrë që asgjë thelbësore të mos ndryshojë në Republikën tonë sovrane.

Që do të thotë se me reformën e re zgjedhore, si plotësim i njërit prej kushteve të Bundestagut, të garantohet për të paktën edhe 6 vjet të tjera riprodhimi normal i përbindshave politikë, që herë pas here na ftojnë të përleshemi me njëri-tjetrin për të drejtat e tyre kushtetuese, kur ia shkel kundërshtari./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!