Instituti Evropian i Statistikave ka sjellë statistika shqetësuese për sa i përket nivelit të varfërisë në Shqipëri. Sipas raportit të fundit të EUROSTAT të publikuar pak muaj më parë 74.7% e popullsisë së Shqipërisë që është në moshë pune rrezikon varfërinë.
Raporti vëren se “intensiteti i punës pasqyron se sa kanë punuar të gjithë anëtarët e familjes në moshë pune, në krahasim me potencialin e tyre të plotë”. Sipas EUROSTAT Shqipëria zë vendin e parë në Evropë me përqindjen më të lartë të popullsisë që është e rrezikuar nga varfëria por edhe nga përjashtimi social.
Sipas ekspertit të ekonomisë Violdi Danaj Shqipëria është vendi ku politikat sociale nuk kanë ekzistuar asnjëherë, ai thotë se paketat që qeveria ka miratuar në periudhën e rritjes së çmimeve nuk janë politika sociale por lëmosh që ju jepet qytetarëve në nevojë.
“Asnjëherë asnjë vend nuk do të arrijë të zhvillohet nëse politikat e tij sociale janë thjesht duke dhënë lëmosh njerëzve ose shtresave në nevojë. Ne jemi në këtë fazë. Ne jemi në fazën e lëmoshit sot sepse kur e krahasojmë me kostot e jetesës ai 3 mijë lekshi në muaj apo ai 6 mijë lekshi në muaj, nuk është asgjë për një familje ku thjesht energjia elektrike ju shkon atyre sa gjithë kjo ndihma sociale që marrin. Pra politikat tona sociale kanë dështuar. Nuk kemi pasur në asnjë moment politika të qarta dhe nuk kemi pasur në asnjë moment qeveritë tona që të jenë në krah të shtresave në nevojë. Qeveritë tona kanë menduar e thënë në thonjëza për më të fortit sepse ata bëjnë dhe interesat politik të tyre, që të arrijnë ti mbajnë në pushtet. Ky është një problem shumë i madh dhe nëse nuk ndryshojmë këtë lloj mentaliteti atëherë do vazhdojmë të jemi përsëri në këtë agoni të thellë ekonomike deri më sot,” u shpreh eksperti i ekonomisë Violdi Danaj për emisionin “Vetting”./Abcnews.al/