Sporti është përdorur dhe vazhdon të përdoret. Futbolli më shumë. Stadiumet, në kohë fushatash mbushen me politikanë, të cilët nuk ngurrojnë edhe të japin bileta falas e të vendosin premio për ekipe të caktuara. Askush nuk mendon për zgjidhje që japin stabilitet dhe që bëjnë të mundur që të sporti të zhvillohet.
Prej më shumë se gjashtë muajsh flitet për ligjin e ri të sportit, për lehtësirat fiskale që do të ketë për ata që investojnë në sport dhe që bëjnë terrene sportive. Zero dashamirësi. Qeveritë kanë hallet e tyre që janë më të mëdha se sporti dhe sigurisht as që kanë kohë të mendojnë për të mirat që sjell. Në fakt të vjen keq kur mendon se kryeministri Edi Rama e ka provuar vetë parketin e basketbollit.
BOJKOTI – Armand Duka, presidenti i FSHF, të hënën në emisionin Pressing në ABC Neës u shpreh se ka pak shpresa që t’u plotësohen kërkesat e bëra. Pritet që sërish tatimi i zbritshëm të jetë 5%, jo 20% sa është tentuar, pas refuzimit për ta bërë 30% sa e ka Kosova. Duka, mes të tjerash nuk e përjashtoi mundësinë e një bojkoti.
“Mendoj se është një luftë mes premtimit dhe mundësive reale nga ekspertiza që ka më poshtë. Qoftë Idrizi, apo kushdo tjetër, do të ketë vështirësi. Nuk po flasim vetëm për klubet profesioniste, edhe të tjerat do të kenë të vështirë të mbijetojnë. Futbolli është i diskriminuar, ndryshe nga shumë degë të ekonomisë që u bëhen lëshime. Nëse këto nuk do të ndodhin, do e vuajë futbolli. Idrizi do mërzitet e do largohet.
Pa pasur një bazë të shëndoshë, pa pasur një rrugë me perspektivë, do të largohet ai dhe të tjerët. A e mendoni bojkotin? Edhe mund të ndodhë që të bojkotohet kampionati”, tha Duka mes të tjerash, ndërkohë që në FSHF pritet të mbahet një tjetër takim dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë një bojkot të garës. Klubet janë lodhur nga shpërfillja që i bëhet futbollit, ndërkohë që kësaj nisme mund t’i bashkohen edhe federata të ndryshme. /abcnews.al