Kryeministri Rama ka nisur një bashkëbisedim me pensionistë për paketën e Rezistencës Sociale, indeksimin e pensioneve dhe kompensimin e rritjes së çmimeve të shportës.
Pas mbledhjes me qeverinë, kryeministri Edi Rama prezantoi 7 masat e marra, ku përfitonin edhe pensionistët. I pari i qeverisë tha se do të kompensojnë me 3 mijë lekë rritjen e çmimeve të shportës për shtresat në nevojë. Kjo shumë do të përfitohet për 3 muaj nga pensionistë që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, pensionistë të invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet me ndihmë ekonomike.
“Jemi në një kohë të vështirë si rezultat i luftës që është rikthyer në Europë. Dhe shpresojmë shumë të mos përhapet dhe të mbyllet.”
“Faturat janë rritur dhe kanë alarmuar tregjet. Kanë krijuar panik në momentet e para.” tha Rama..
“Këtë nuk po e bën asnjë qeveri në Europë. Kanë rritur çmimet e energjisë dhe të gazit apo të ngrohjes. Kolegë të mitë më thonë që është çmenduri financiare. Pas tërmetit dhe pandemisë, kemi këtë dhe nuk mundet t’i çojmë edhe këtë faturë. Dhembin gjërat që ndodhin.” tha Rama.
“Nëse do kishte ardhur fatura e kësaj krize s’do kishte njeri në këtë vend që do të donte të protestonte. Por nuk ka ardhur fatura.” shtoi kryeministri.
Rama është shprehur se do shpërndahen 3.3 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve në masë 3.3% për 673,813 pensionistë.
Konkretisht 3 mijë lekë për 3 muaj, për: pensionistët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale; pensionistët që trajtohen me pension invaliditeti; pensionistët që jetojnë vetëm; Personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër; si dhe të gjitha familjet në skemë ekonomike.
Pika dy e Paketës së Rezistencës u dedikohet pensionistëve:
Kompensim i rritjes së çmimeve të shportës për 3 muaj me nga 3 mijë lekë. Bazuar në përllogaritjen e INSTAT-it është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të llogaritur përpara goditjes, është 25 mijë lekë të vjetra. Përfitojnë 434 mijë qytetarë: pensionistë që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, pensionistët e invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër, të gjitha familjet me ndihmë ekonomike.
/abcnews.al/