I ka bindur që të gjithë menjëherë. Adrion Pajaziti nuk është thjesht një përforcim vere tek Hajduku, por një lojtar i përshtatur menjëherë dhe tepër I rëndësishëm.
Mesfushori I ri I kombëtares shqiptare e nisi siç duhet kampionatin në Kroaci, edhe pse bëri një gabim që kushtoi mjaft.
Trajneri Gonzalo Garsia e hodhi sërish në fushë si titullar, dhe I besoi deri në fund në fitoren 2-1 ndaj Istrës në stadiumin “Poljud” të Splitit, aty ku këtë të enjte do të luajë Dinamo shqiptare për Ligën e Konferencës.
Pajaziti ishte aktiv dhe mori pjesë vazhdimisht në lojë. Jo më kot pati 71 prekje topi, ndërsa saktësia e tij në pasime ishte thuajse e përsosur, 53 të saktë nga 55 gjithsej.
Njëri prej tyre ishte vendimtar.
Po ashtu, shkëlqeu në pasimet e gjata duke gabuar vetëm një në tetë gjithsej. Jasin Benrahu kaloi Hajdukun në epërsi me penallti në fund të pjesës së parë, por menjëherë pas pushimit, Pajaziti gaboi.
Ndoshta ishte shoku I tij I ekipit që I dha një pasim të rrezikshëm në zonë, por ndoshta shqiptari mund të ishte treguar më i shpejtë. Ky moment ndihmoi Istrën të barazonte, dhe u desh sakrificë e madhe që ndeshja të fitohej.
Pesë minuta para fundit, Fran Karaçiç fiksoi rezultatin 2-1. Adrion Pajaziti ka qenë titullar në dy nga tri ndeshjet zyrtare në sezon deri tani, e ndoshta do të jetë I tillë edhe në Ligën e Konferencës përballë ekipit të trajnerit Ilir Daja.

