Pahor: Nëse del se Serbia qëndron pas ngjarjeve në Kosovë, shenjë se ajo mbetet në sferën e Moskës

schedule15:51 - 6 Tetor, 2023

schedule 15:51 - 6 Tetor, 2023

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka thënë se do të ishte shumë i zhgënjyer nëse hetimet tregojnë se pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës qëndron politika zyrtare serbe.

Në konferencën në Budvë të Malit të Zi në një panel kushtuar të ardhmes së Ballkanit Perëndimor, Pahor tha se duhet të presim ende dhe të shohim se çfarë do të tregojë hetimi i pavarur në lidhje me ngjarjet e 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Kosovës.

“Nuk e di se çfarë ka ndodhur saktësisht, duhet të shohim se çfarë do të tregojë hetimi. Por, nëse del se Serbia qëndron pas gjithçkaje, do të thotë se në Beograd është marrë një vendim që nuk ka vend në BE, por që mbetet në sferën e interesit të Moskës. Ky do të ishte një lajm i trishtuar dhe do të isha shumë i zhgënjyer nëse do të zbulohej se pas gjithçkaje qëndron politika zyrtare serbe”, tha Pahor.

Ai bëri thirrje për vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. “Besoj se dialogu do të vazhdojë dhe mbetem mbështetës i zgjerimit të BE-së në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha Pahor.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!