Pagesa më të lira me vendet e BE, Shqipëria aplikon zyrtarisht për të qenë pjesë e sistemit SEPA

schedule13:38 - 13 Qershor, 2024

schedule 13:38 - 13 Qershor, 2024

Shqipëria është vendi i parë në rajon që aplikon zyrtarisht për tu bërë pjesë e sistemit të pagesave Europine SEPA.

Guvernatori Gent Sejko u shpreh se kjo nismë është shumë e rëndësishme pasi do ti sigurojë qytetarëve dhe bizneseve evropiane, pagesa ndërkufitare në monedhën e përbashkët, me të njëjtën kosto dhe lehtësi si pagesat brenda vendit të tyre. Nëse aktualisht për një transfertë prej 1 mijë eurosh paguhet 60-80 euro komision pas futjes në këtë sistem do paguhet 10-20 euro.

Përfshirja e vendit tonë në sistemin SEPA vlerësohet si një mundësi më e madhe për bizneset shqiptare.

Banka e Shqipërisë ka nisur punën për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA që në vitin 2021, kur u bë pjesë e projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”. Ky projekt e ka origjinën nga marrëveshjet e Procesit të Berlinit dhe synon zhvillimin e marrëdhënieve financiare dhe ekomomike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe njëkohësisht integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!