Pagë e çmendur për ligën, klubi i sulmuesit shqiptar ofertë për Mandzukic

schedule10:59 - 23 Dhjetor, 2020

schedule 10:59 - 23 Dhjetor, 2020

Çmenduria më e madhe në kampionatin kroat. Kështu e cilësojnë mediat atje transferimin e sulmuesit Mario Mandzukic, i cili ka luajtur në klube të mëdha europiane dhe ka qenë lider i kombëtares së tij.

Tportal.hr shkruan se zërat për një kalim të sulmuesit në Kroaci janë shpeshtuar dhe tashmë ka një plan konkret. Nenad Bjelica, ish-trajneri i Dinamo Zagreb, kërkon me ngulm të “hakmerret” për pushimin nga puna dhe tek Osijek po përpiqet të jetë në krye të një projekti që thyen dominimin e kampionëve në fuqi.

Pronarët hungarezë të klubit po ndërtojnë stadium dhe qendër stërvitore, çka tregon seriozitetin e tyre dhe fuqinë që kanë për të shpenzuar. Veç të gjithë këtyre, thuhet se edhe oferta është mjaft e mirë.

Osijek nuk do paguajë për kartonin e Mandzukic, pasi ai është lojtar i lirë dhe prej gjashtë muajsh nuk po aktivizohet në asnjë ekip. Kështu mjafton një ofertë e mirë dhe nga ajo që raporton burimi i përmendur më lart, për sulmuesin është gati një kontratë deri më 30 qershor të vitit 2023.

Paga? 1.5 milion euro në sezon, që Mandzukic të rikthehet të luajë në atdhe dhe të jetë lojtari më i paguar në historinë e këtij kampionati. Tek Osijek sulmuesi do të gjente edhe lojtarin e kombëtares shqiptare, Eros Grezda, i cili sigurisht është gati të asistojë për futbollistin e njohur. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!