Pagat e prapambetura, Sinan Idrizi refuzon ftesën e futbollistëve

schedule22:45 - 24 Maj, 2019

schedule 22:45 - 24 Maj, 2019

Lojtarët e Flamurtarit i kanë dërguar një shkresë administratorit të klubit Sinan Idrizi për të konkretizuar një takim mes tyre. Ftesa është refuzuar nga Idrizi i cili thekson se nuk ka arsye për ta bërë diçka të tillë.

Histori letrash edhe në futboll, këtë radhë në kërkim të pagesës. Vlonjatët po luftojnë fort që të kapin pjesëmarrjen në Europa League, pavarësisht se kanë një sezon pa u paguar. Së fundmi lojtarët i kanë dërguar administratorit Sinan Idrizi një shkresë ku kërkojnë të kenë një takim me të. Epiqendra e bisedës dihet: Ata do të flasin për rrogat e prapambetura. Zyrtari më i lartë i kuqezinjve ka refuzuar ftesën e tyre duke lëshuar mesazhe enigmatike. Fjalë që nuk i beson më askush.

Numri një i klubit në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” u shpreh: “Çështja e pagave është përgjegjësia ime. Një histori përgjegjësie më shumë se gjithçka. Prisni se mos vjen ndonjë surprizë me të mbaruar kampionati. Të presim dhe të shikojmë. Unë do të pres dhe jam i detyruar të pres. E në lidhje me kërkesën e futbollistëve për një takim, Idrizi deklaron: “Nuk kam përse takohem me futbollistët, pasi me ta jam takuar në çdo kohë dhe përditë jam me ta. U them vetëm të pres dhe aq. Tani unë agjëroj, jam me Ramazan. Duroni dhe një javë për të dëgjuar programin e Flamurtarit, pasi do të them gjëra të bukura. Sa të mbarojnë këta djem do të them histori të tjera”, – u shpreh administratori i Flamurtarit.

Megjithatë, cështja e Flamurtarit në Europë, jo vetëm që varet nga pozicionimi në renditje në fund të garës, por patjetër edhe nga konfirmimi për një licensim të mundshëm. Në këtë pikë, ana financiare mund të bëhet pengesë që Flamurtari të ngecë në rrjetën e licensimit, edhe pse në kontrast këtë, skuadra është duke luajtur fare mirë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!