Paga e Plakut dhe transferimi i Dakut, Batatina zbulon gjithçka

schedule09:32 - 3 Janar, 2020

schedule 09:32 - 3 Janar, 2020

Miliona euro të shpenzuara. Tahir Batatina, trajneri i Llapit, së bashku me vëllezërit e tij investojnë në klubin nga Podujeva dhe për ta kthyer në një ekip pretendent në Ipko Superliga e Kosovës, kanë shpenzuar 3.5 milionë euro.

Batatina, në një intervistë të dhënë për “Gazeta Infokus”, tregon për shpenzimet e mëdha që klubi ka. Ai zbulon se rreth 70 mijë euro janë kostot mujore, ndërkohë që zbulon edhe dy prej lojtarëve më të paguar.

Mentor Zhdrella dhe Sebino Plaku marrin 60 mijë euro në sezon, pra një pagë mujore që kap shifrën e 5 mijë eurove. Siç ndodh zakonisht në botën e futbollit, një pjesë e pagesës jepet në fillim dhe këta dy lojtarë kanë marrë parapagim gjysmën  e shumës që përfitojnë nga kontrata.

 

PËRFITIMET – Synimi i Batatinës është që në të ardhmen të shesin lojtarë. Deri më tani kanë përfituar vetëm nga transferimi i Mirlind Dakut tek Osijek. 60 mijë euro kanë kaluar në llogarinë e klubit, ndërkohë që klubi nga Podujeva ka akoma 15% të kartonit dhe nëse sulmuesit shitet sërish, atëherë do të përfitojnë përqindjen e tyre.

Të njëjtën përqindje kartoni Llapi ka ruajtur edhe pas transferimit të anësorit Festim Alidema, por për këtë të fundit nuk kanë marrë asnjë para. Batatina shpreson që duke u transferuar jashtë lojtarët e rinj, vlera e tyre do të rritet ndjeshëm dhe ai 15% i kartonit që kanë, mund të kapë shifra të konsiderueshme. /abcnews.al