TIRANË- Analisti i njohur, Artur Nura thekson rëndësinë e një vendimmarrjeje të shpejtë dhe transparente nga Gjykata Kushtetuese lidhur me çështjen e padisë së kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të GJKKO, për pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Sipas Nurës, Kushtetuesja ka një “detyrim moral” për të ndarë gabimet e dy pushteteve dhe për të “ndarë shapin nga sheqeri”, duke garantuar që vendimi të mos krijojë probleme ligjore ose politike.
I ftuar në “News Line”, Nura nënvizoi se prokuroria nuk mund të marrë kompetenca politike dhe të ndërhyjë në punët e ekzekutivit.
“Kushtetuesja duhet të ndajnë gabimet e dy pushteteve. Gjykata ka detyrimin moral për të ndarë shapin nga sheqeri. Unë shpresoj që vendimi të jetë transparent. Gjykata Kushtetuese po e zvarrit çështjen.
Prokuroria nuk mund të marrë kompetenca politike. Kur trajton një çështje delikate, duhet të gjesh formën ligjore që të mos shkaktohet problem. Nuk mund të prishësh zhvillimin, nuk mund të ndërhysh te kompetencat e ekzekutivit, sepse ato vijnë nga vullneti i popullit dhe nga vullneti i Parlamentit; këtu ka një tejkalim.
Duhet një vendimmarrje operative, duke mos tejkaluar ligjin dhe Kushtetutën. Kryeministri ka të drejtën absolute për shqetësimet që ka ngritur, si për Bashkinë e Tiranës, ashtu edhe për çështjen e zëvendëskryeministrit dhe ministres. Pres që të pranohet kërkesa e kryeministrit. Kanë detyrimin të japin vendimin e duhur në kohën e duhur. Vendimi duhet të jetë transparent, seanca nuk ka pse të jetë me dyer të mbyllura. Demokracia funksionon kur ka ndarje pushtetesh. Me vendimin e Kushtetueses, caktohen “kufijtë te thana” për prokurorin dhe gjykatësin që ka dhënë vendimin,” u shpreh ai.

