Padia për shpifje, Basha dhe Veliaj nuk paraqiten në gjykatë

schedule09:06 - 24 Shtator, 2021

schedule 09:06 - 24 Shtator, 2021

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryebashkiaku Erion Veliaj nuk janë paraqitur ditën e sotme në gjykatë. Seanca e sotme gjyqësore, e cila u shty për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës të Veliajt, do të mbahej për padinë që kreu i demokratëve ka ngritur ndaj Veliajt për shpifje.

Në padinë penale argumentohet se Veliaj, si drejtues i fushatës së PS për Tiranën, ka bërë 3 akuza konkrete ndaj Bashës, të cilat demokratët i konsiderojnë shpifje.

Padia konsideron si shpifje të Erion Veliajt akuzat se 1) kryedemokrati është bërë me katër shtëpi pas tërmetit të 26 nëntorit; 2) se Basha ka përfituar gjatë periudhës së fatkeqësisë së tërmetit dhe 3), se ka ndërtuar pa leje.

“Këto të pavërteta janë bërë me qëllim dëmtimin e reputacionit dhe dëmtimin e imazhit në mënyrë të qëllimshme, duke qenë se Lulzim Basha është Kryetar i PD në opozitë dhe Erion Veliaj, si drejtues i fushatës zgjedhore të PS për qarkun e Tiranës, këto deklarime shpifëse i përdor për të përfituar kredo politike përballë qytetarëve, si për vete dhe për PS”– thuhet në padinë e ngritur për shpifje ndaj Veliajt. /abcnews.al/