Padia për genocidin serb, Kurti dështon të mbajë premtimin, nuk e çon në gjykatën e drejtësisë

schedule14:08 - 6 Janar, 2025

schedule 14:08 - 6 Janar, 2025

Padia e Kosovës ndaj Serbisë për gjenocid nuk është hartuar as katër vite pas premtimit publik te kryeministrit Albin Kurti.

Zyrtarë qeveritarë thonë se janë duke punuar në këtë drejtim por që nuk mund të jepen detaje për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, edhe pse në Kosovë ka skepticizëm se një premtim i tillë mund të realizohet. “Adresimin e krimeve të luftës e kemi prioritet në kuadër të programit qeverisës. Dhe nëse shohim se cilat janë veprimet që ne i kemi dhënë si zotime, të gjitha i kemi adresuar përveç se në padinë për gjenocid jemi duke punuar. Por, për këtë të fundit nuk kam mundësi që të jap më shumë informacione, për shkak se është tepër proces i ndjeshëm…”, ka thënë ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu.

Por sipas profesorit të së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, qeveria e ka kuptuar që ky është një proces kompleks, ndaj tema te tilla nuk duhet te trajtohen me fryme nacionaliste për përdorim elektoral.

“Ne e dimë në fillim të mandatit e ka pasur një prioritet padinë për gjenocid, por po kalojnë katër vjet të mandatit dhe akoma nuk e kemi atë padi. Mendoj që edhe kryeministri e ka kuptuar që ky është një proces shumë kompleksiv dhe se nuk është një proces për të eksperimentuar, sepse do të mund ta dëmtojmë shumë shtetin në qoftë se e humbim rastin. Humbja eventuale e rastit do ta rehabilitonte komplet Serbinë për atë çfarë ka bërë. Për këtë çështje të padisë ne duhet konsensus mbi partiak, nacional, akademik, shtetëror, shoqëror, që ta bëjmë këtë padi”, është shprehur më tej profesori i të drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami.

Paditë për gjenocid ngrihen pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë – institucionit që vendos për mosmarrëveshjet në mes të shteteve. Në GJND mund të iniciojnë procedura vetëm shtetet që janë anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Gjate luftës së Kosovës me shume se 13 mijë civilë janë vrarë, mbi 20 mijë janë përdhunuar, mbi 6 mijë të zhdukur – nga te cilët rreth 1.600 vazhdojnë të jenë të pagjetur, e më shumë se 800.000 persona të zhvendosur gjatë luftës së viteve në 1998-1999 në Kosovë.
Serbia vazhdon t’i mohojë krimet. Më herët, Bosnje e Hercegovina dhe Kroacia i kanë humbur rastet për gjenocid kundër Serbisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!