TIRANË- Këshilli i Ministrave kërkon shpalljen si anti-kushtetues të vendimit të gjykatës së posaçme të datës 19 nëntor 2025 për masën e sigurisë pezullim nga detyra ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku.
Kryeministri i kërkon gjykatës kushtetuese ta shfuqizojë masën e pezullimit dhe të zgjidhe mosmarrëveshjen e kompetencës të krijuar, për shkak të faktit se me vendimin e saj, GJKKO duke vendosur masën në fjalë, ka krijuar de fakto një situatë juridike ku ndërhyn në veprimtarinë funksionale të Këshillit të Ministrave dhe në kompetencën kushtetuese të kryeministrit për të propozuar emërimin dhe shkarkimin e ministrit.
Analisti Arben Meçe, në një intervistë në “News Line” në ABC News, tha se kërkesa e kryeministrit Edi Rama është tërësisht e drejtë.
Gjithashtu gjatë intervistës, tha se akti i ankimimit në Gjykatë Kushtetuese, është një akt absolutisht ligjor.
Më tej theksoi se “korridori i SPAK” po manipulon ngjarjen, dhe ka një bashkim të korridorit të SPAK e të politikës.
“Ajo që ka hapur debat në arenën politike është legjitimiteti i këtij procesit, jo vetëm ai juridik, por edhe ai politik. Pa dalë kryeministri unë kam kërkuar që çështja të kalojë në Gjykatë Kushtetuese, për një situatë që është provuar nga sistemi i drejtësisë, nga SPAK. Sa kohë çështja e regjistruar në Gjykatë Kushtetuese jemi në kushtet një vendimmarrje që do ta bëjë vetëm gjykata Kushtetuese. Por edhe sot e kësaj dite, këtë ankimim të kryeministrit në Gjykata Kushtetuese e transmetojnë si veprim antikushtetues, por absolutisht që nuk është kështu. Akti i ankimimit në Gjykatë Kushtetuese, po shihet si intimidim, por është e pavërtetë, sepse është një akt absolutisht ligjor. Ka disa forma se si ka legjitimitet pala për t’u përfaqësuar në Gjykatë Kushtetuese. Edhe një individ ku konstaton se është cënuar, i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, dhe në këtë rast nuk kemi të bëjmë aspak me intimidim”, tha ai.
Gjithashtu theksoi se SPAK nuk i drejtohet Parlamentit sepse tij nuk ka asnjë prova në dosje, ndërsa shtoi se “Dosja e Ballukut” nuk ka asnjë analizë. Sipas analistit Meçe, SPAK po vepron me standarde të dyfishta.
“Situata është shumë e komplikuar. Që ditën që Këshilli i Ministrave ka paraqitur ankimimin Gjykata Kushtetuese ka vendosur regjistrimin ka përcaktuar grupin për tre gjyqtarësh dhe është vendosur relatorin, pra është pranuar çështja dhe hapi tjetër është shqyrtimi i çështjes. Një tjetër fazë është gjykimi në themel, është pozitiv fakti që Gjykatë Kushtetuese u fut të merret me procedurën e kërkesës së parë. Sa kohë neni 103 prevalon ndaj çdo neni poshtë…Kodi Penal vjen pas Kushtetutës, dhe Kushtetuta është filtri i parë. Kodi i procedurës penale të lejon të marrësh edhe masën e pezullimit, por ta lejon deri në një limit dhe këtë limit ta vendos Kushtetuta. Që thotë mandati i ministrit është i barabartë me mandatin e deputetit…Trajtimin e çështjes së ministrit nuk ke të drejtë ta bësh si një mundësi që ke të drejtë ta haqesh…Këshilli i Ministrit futet tek ajo pjesë që ka të bëjë me punën e përditshme…Unë debatoj faktin se Kushtetuta të thotë se mandati i ministrit barazohet me mandatin e deputetit. Imuniteti është shtyllë kryesor që pengon të gjithë pushtet e tjera që futesh në këto instanca. Pezullimi nda detyra është ndërhyrje në punën e Këshillit të Ministrave. Por përse nuk i drejtohesh parlamentit? SPAK nuk i drejtohet Parlamentit sepse nuk ka prova në dosje…Dosja e Ballukut nuk ka asnjë analizë…”, ka thënë mes të tjerash ai.
/abcnews.al/

